Franca nis ndalimin e trafikantëve/ Paris-Londër bien dakord për ndërhyrje në Kanal kundër emigrimit të paligjshëm

Franca ka ndërruar politikë pas muajsh presioni nga Britania e Madhe, duke rënë dakord të nisë interceptimin e varkave të vogla në Kanal. Ndërhyrjet do të bëhen vetëm përpara se migrantët të marrin rrugën drejt mbërritjes në brigjet britanike. Vendimi shihet si një hap i madh në luftën kundër trafikut të njerëzve.

Franca ka rënë dakord të nisë ndalimin e varkave të vogla në Kanal, një ndryshim i rëndësishëm politik pas muajsh presioni nga Mbretëria e Bashkuar.

Vendimi vjen pasi kryeministri britanik Keir Starmer i dërgoi një letër presidentit Emmanuel Macron, ku e nënvizonte se Londra “nuk ka asnjë mjet efektiv frenimi” për migracionin e paligjshëm përmes Kanalit, sipas raportimeve të gazetës franceze Le Monde.

Autoritetet franceze të policisë detare konfirmuan për BBC-në se ndërhyrjet do të lejohen vetëm në det dhe vetëm përpara se varkat të marrin emigrantët në bord.

Historikisht, policia franceze ka hezituar të ndërhyjë në momentin e nisjes së varkave të tejmbushura, duke e konsideruar të rrezikshme si për oficerët, ashtu edhe për migrantët.

Por vendimi i ri sinjalizon një kthesë të madhe drejt një qasjeje më aktive në ndalimin e trafikimit të njerëzve. Megjithatë, policia franceze ka përjashtuar përdorimin e “rrjetave bllokuese”, për të cilat më herët ishte raportuar se mund të përdoren për të ndalur helikat e motorëve.

Ky ndryshim vjen pas përpjekjeve të dështuara gjatë verës, kur ish-ministri i Brendshëm Bruno Retailleau nxitonte për një qasje më agresive, por u përball me kufizimet e rregullave të policimit detar. Përpara samitit të korrikut mes Starmer dhe Macron, BBC-ja kishte regjistruar pamje të policisë franceze duke u futur në det për të shpuar një gomone, por ndërhyrje të tilla u rralluan më pas.