Shkon në 94 numri i viktimave nga zjarri në qiellgërvishtësve në Hong Kong, flakët u përshpejtuan nga panelet e polisterolit

Rëndohet bilanci i viktimave nga zjarri që përfshiu një kompleks qiellgërvishtësish në Hong Kong. Sipas të dhënave zyrtare numri I atyre që humbën jetën ka shkuar në 94,  ndërsa 76 të tjerë u plagosën, përfshirë 11 zjarrfikës. Zjarri shkatërroi shtatë nga tetë blloqet 31-katëshe të kompleksit Wang Fuk Court në lagjen Tai Po. Disa të mbijetuar u gjetën në shkallë, por dhjetëra ende rezultojnë të zhdukur.

Zjarri është tanimë nën kontroll, përveçse në katet e sipërme të tre ndërtesave. Panelet e polisterolit të vendosura mbi dritaret në kafazin e ashensorit shihen si shkaku I përhapjen kaq të shpejtë të flakëve. Tre burra, të moshës midis 58 dhe 62 vjeç, u arrestuan me dyshimin për vrasje të paqëllimshme.

Alarmi i zjarrit u rrit shpejt nga niveli 1 në nivelin 4, në një shkallë prej 5, rreth orës 15:30 sipas orës lokale (8:30 të mëngjesit në Itali).

Imazhet e transmetuara treguan skena dramatike të qiellgërvishtësve, të përfshirë nga flakët. Kompleksi rezidencial Wang Fuk Court, në lagjen Tai Po të Hong Kongut, ka 1,984 apartamente për një total prej afërsisht 4,000 qiramarrës. Punimet e rinovimit me kosto mbi 36 milionë euro, kishin filluar prej muajsh, duke shkaktuar pakënaqësi të konsiderueshme midis banorëve.

Zjarri u përhap edhe në ndërtesat aty pranë, përfshirë Shkollën Fillore Baptiste Tai Po. Policia evakuoi dy komplekse të tjera në lagjen ngjitur Këong Fuk.

Presidenti kinez Xi Jinping shprehu ngushëllimet e tij për viktimat. Sipas CCTV, Xi bëri thirrje për një përpjekje të gjithanshme për të kontrolluar flakët dhe për të minimizuar numrin e viktimave dhe dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

Raportimet mediatike tregojnë se 767 zjarrfikës dhe 400 oficerë policie, së bashku me 128 automjete zjarrfikëse dhe 57 ambulanca, u përfshinë në operacionet e shpëtimit. Mbi 700 persona deri më tani janë strehuar në pesë qendra komunitare të hapura nga zyra e distriktit Tai Po.

Shefat e zjarrfikësve thanë se temperaturat e larta e bënë të vështirë për ekipet të organizonin operacionet e shpëtimit. Nuk dihet menjëherë se si filloi zjarri, por autoritetet thonë se filloi në skelat e jashtme në njërën prej ndërtesave, një kullë 32-katëshe, dhe më pas u përhap në brendësi të ndërtesës dhe më pas në ndërtesat ngjitur, me shumë gjasa i nxitur nga erërat e forta të kohëve të fundit dhe gjithashtu nga skelat prej bambuje që mbështjellin ndërtesat.

Autoritetet që hetojnë zjarrin kanë thënë se do të shqyrtojnë faktorë të ndryshëm, përfshirë faktin nëse materialet e përdorura në muret e jashtme të ndërtesave përmbushnin standardet e rezistencës ndaj zjarrit, pasi përhapja e zjarrit ishte jashtëzakonisht e shpejtë. "Policia dhe Departamenti i Shërbimeve të Zjarrfikësve kanë krijuar tashmë një grup pune për të hetuar" zjarrin dhe shkaqet e tij, tha John Lee, Guvernator i Hong Kongut. Hetimi do të përfshijë gjithashtu kontrollin për elementë të mundshëm kriminalë.