SULMI NGA PESHKAQENI/ Vdes notarja, pl*goset rëndë një tjetër. Ngjarja në një plazh në Australi
Një grua ka humbur jetën dhe një burrë është plagosur rëndë pas një sulmi brutal nga një peshkaqen në bregdetin e Uellsit të Ri Jugor në Australi. Ngjarja e rëndë ndodhi në një plazh të izoluar. Pas ngjarjes, autoritetet mbyllën edhe plazhet përreth duke marrë masa shtesë për largimin e peshkaqenëve nga ujërat pranë bregdetit
Një ngjarje tragjike ka tronditur Australinë, pasi një 20-vjeçare humbi jetën dhe një tjetër i ri mbeti në gjendje kritike pas një sulmi të papritur nga një peshkaqen.
Sulmi ndodhi të enjten në orët e para të mëngjesit në Kylies Beach, një plazh i izoluar brenda Crowdy Bay National Park, ku dy të rinjtë po notonin së bashku.
Sipas policisë, gruaja ndërroi jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të rënda, ndërsa burri u transportua me helikopter drejt spitalit të Newcastle-it.
Mjekët thanë se ai mbërriti në gjendje kritike, por u shpëtua falë reagimit të shpejtë të një kalimtari, i cili i ndali gjakderdhjen.
Departamenti i Industrive Primare njoftoi se sulmi ka të ngjarë të jetë kryer nga një peshkaqen dem – një ndër tre speciet më vdekjeprurëse në botë. Ky lloj peshkaqeni gjendet si në ujëra të kripura ashtu edhe në ato të ëmbla dhe njihet për agresivitetin e lartë.
Menjëherë pas tragjedisë, autoritetet mbyllën plazhin dhe nisën vendosjen e pajisjeve të cilat përdoren për të joshur, etiketuar dhe më pas lëshuar peshkaqenë në det të hapur.
Autoritetet njoftuan se edhe plazhet përreth do të qëndrojnë të mbyllura për 24 orë, ndërsa dronët do të monitorojnë zonën për çdo rrezik të mundshëm.
Ky është sulmi i pestë fatal nga peshkaqenët në Australi vetëm këtë vit, duke rritur shqetësimin për sigurinë në plazhe, sidomos në zonat e largëta.

