GJYKATA JEP URDHRIN PËR BOLSONARON/ Ish-presidenti Brazilian dënohet për grusht shteti

Gjykata Supreme e Brazilit urdhëroi që Jair Bolsonaro të fillojë menjëherë vuajtjen e dënimit prej 27 vitesh burg për komplot në një tentativë grushti shteti pas humbjes zgjedhore në vitin 2022. Ish-presidenti mbahet në një qeli të Policisë Federale në Brasilia, pasi u konsiderua rrezik arratisjeje pas manipulimit të monitorit të kyçit të këmbës. Mbrojtja pretendon se do të apelojë, por vendimi është shpallur përfundimtar nga Gjykata e Lartë.

Në Brazil, një vendim historik trondit politikën e vendit. Gjykata Supreme ka urdhëruar që ish-presidenti Jair Bolsonaro të nisë menjëherë vuajtjen e dënimit me 27 vjet burg.

Ai u shpall fajtor për komplotimin e një tentative grushti shteti, pas humbjes ndaj Luiz Inacio Lula da Silvës në zgjedhjet e vitit 2022.

Bolsonaro ndodhet tashmë në qelinë e Policisë Federale në Brasilia. Vendimi erdhi pasi ai u arrestua fundjavën e kaluar, pasi dyshohet se kishte manipuluar pajisjen monitoruese të kyçit të këmbës me një hekur saldimi. Gjykata e konsideroi veprimin si rrezik arratisjeje.

Avokatët e ish-presidentit e quajtën arrestimin ‘të pajustifikueshëm’ dhe pretenduan se shëndeti i tij është në rrezik. Megjithatë, Gjykata publikoi një video ku Bolsonaro duket se pranon manipulimin e pajisjes, duke pretenduar se e kishte bërë nën efektin e ilaçeve.

Për hetuesit federalë, dënimi lidhet drejtpërdrejt me sulmin e 8 janarit të vitit 2023, kur mbështetës të Bolsonaros sulmuan ndërtesat qeveritare në një përpjekje për të rrëzuar rezultatin zgjedhor.

Çështja ka provokuar edhe reagime ndërkombëtare. Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, aleat i Bolsonaros, e quajti procesin ‘gjueti shtrigash’, ndërsa Uashigtoni zyrtar kërkon që Brazilit t’i garantohet pavarësia e drejtësisë.

Me këtë vendim, Bolsonaro bëhet ish-presidenti i parë brazilian që dënohet me burg të gjatë për tentativë grushti shteti. Një moment që mund të ndikojë thellë në të ardhmen politike të vendit dhe të gjithë Amerikës Latine.