Presidenti francez prezanton modelin e ri të shërbimit ushtarak
Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të zbulojë të enjten detajet e një shërbimi të ri ushtarak vullnetar gjatë një vizite në bazën e Brigadës së 27-të të Këmbësorisë Malore në Varces, në juglindje të vendit.
Njoftimi shënon një ndryshim të rëndësishëm, tre dekada pasi ish-presidenti Jacques Chirac hoqi rekrutimin e detyrueshëm në vitin 1996.
Duke folur sot për radion franceze “RTL”, presidneti Macron mbrojti nevojën për të forcuar lidhjen mes qytetarëve dhe ushtrisë.
“Duhet të forcojmë paktin mes forcave të armatosura dhe kombit”, tha ai, duke theksuar se programi i ri synon modernizimin e kornizës së shërbimit kombëtar.
Ideja për të rikthyer një formë të shërbimit kombëtar qarkullon që prej fushatës së parë presidenciale të Macron në vitin 2017.
Propozimi fillestar çoi në krijimin e Shërbimit Universal Kombëtar (SNU), një program civil që synonte nxitjen e angazhimit qytetar tek të rinjtë.
Megjithatë, SNU u përball me kosto të larta, probleme në zbatim dhe pjesëmarrje të ulët. Programi u pezullua pasi Sébastien Lecornu mori detyrën e kryeministrit në shtator.
Në intervistën për RTL, Macron nuk konfirmoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm, por përsëriti se projekti i ri do të mbetet vullnetar.
Mbi të gjitha, ai kërkoi të shuajë frikën se programi i ri mund të përfshijë dërgimin e të rinjve në Ukrainë.
“Duhet të heqim menjëherë çdo dyshim se do t’i çojmë të rinjtë tanë në Ukrainë”, tha Macron. “Nuk bëhet aspak fjalë për këtë”.
Një javë më parë, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjenerali Fabien Mandon, shkaktoi reagime të forta pasi deklaroi para Kongresit të Kryetarëve të Bashkive se “Franca rrezikon dështimin” nëse nuk është e përgatitur të pranojë “humbjen e fëmijëve tanë” për të “mbrojtur atë që jemi”.

