Hapi tender për të ndërtuar urën për familjarët/ GJKKO kalon për gjykim ish-kryetaren e Bashkisë Tropojë

GJKKO pranon kërkesën e SPAK dhe nis gjykimin për ish-kryetaren e Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, me akuzën për korrupsion dhe për ndërtuesin Rrok Gega.

Zyra Islamaj, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ndërtuesi për korrupsioni aktiv.

Ismailaj u mor e pandehur nga  SPAK në muajin shtator për tenderin e rikonstruksionit dhe ndërtimit të disa urave në bashkinë e Tropojës njëra prej të cilave me ndërhyrjen te biznesmeni Rrok Gega, do të ishte e përsonalizuar mbi përroin që kalon fare pranë shtëpisë së motrës së saj.

NJOFTIMI:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 29.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 15/2026, në ngarkim të të pandehurve: Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.

2. Në seancën e datës 25.11.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, bazuar në nenet 112, 332/dh, pika 1, gërma “a”, 332/ë, 332/gj, pika 1 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 149, datë 25.11.2025, vendosi:

I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.15, viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:

1. Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë i Kodit Penal.

2. Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.

II. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues.

III. Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 1 volum hetimor (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).

IV. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 26.11.2025.