Në kufi me Venezuelën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes udhëton nesër drejt Republikës Domenikane
Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, do të vizitojë nesër Republikën Domenikane, njoftoi ambasada e SHBA në Santo Domingo. Vizita vjen në një moment kur Uashingtoni ka shtuar dukshëm praninë ushtarake në Karaibe, pranë kufirit detar me Venezuelën.
SHBA kanë vendosur në rajon aeroplanmbajtësen më të madhe dhe më moderne në botë (USS Gerald R. Ford), si dhe një numër të madh luftanijesh e avionësh luftarakë, në kuadër të operacioneve kundër karteleve të trafikut të drogës – veprime që kanë rritur tensionet me Karakas.
Ndërkohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA, gjenerali Dan Kane, zhvilloi sot një vizitë në Trinidad dhe Tobago, ishujt vetëm 10 kilometra larg bregdetit venezuelian, të cilët së fundmi kanë pritur stërvitje me marinsa dhe njësi detare amerikane.
Presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar sinjale të paqarta lidhur me mundësinë e goditjeve ushtarake në territorin venezuelian. Ai ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë dhe nuk ka përjashtuar një ndërhyrje ushtarake, ndërsa sipas Axios, ka shprehur gatishmëri për të zhvilluar bisedime direkte me presidentin Nicolas Maduro.
Republika Domenikane, aleate e SHBA, ka bashkëpunuar prej vitesh me Uashingtonin në operacionet kundër trafikut të drogës.
Që nga fillimi i shtatorit, ushtria amerikane ka kryer sulme ajrore në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor kundër mjeteve lundruese që dyshoheshin për trafik narkotikësh. Deri tani janë shkatërruar mbi 20 anije dhe raportohen të paktën 83 të vrarë.
Uashingtoni akuzon regjimin e Maduros se drejton një rrjet të gjerë trafiku droge drejt tregut amerikan dhe këtë vit ka dyfishuar në 50 milionë dollarë shpërblimin për informacione që çojnë në kapjen e tij.
Karakasi i mohon akuzat, duke pretenduar se SHBA po përdor luftën kundër trafikut të drogës si pretekst për “ndryshim regjimi” dhe për marrjen nën kontroll të rezervave të mëdha të naftës së Venezuelës.

