Norris në “pole position”, Hamilton i fundit! Piloti britanik hedh një tjetër hap të madh drejt titullit të parë botëror në F1
Lando Norris siguroi “pole position” në Las Vegas mes reshjeve të dendura, duke bërë një hap vendimtar drejt titullit të parë botëror në Formula 1. Britaniku la pas Max Verstappen, ndërsa rivali i tij për titull, Oscar Piastri, u rendit i pesti. Lewis Hamilton pati një natë katastrofike, duke përfunduar i fundit në një nga kualifikimet më të vështira të sezonit.
Lando Norris siguroi “pole position” në Çmimin e Madh të Las Vegasit, në kushte ekstreme shiu dhe piste të rrezikshme, duke bërë një tjetër hap të madh drejt titullit të parë botëror në Formula 1.
Piloti britanik i McLarenit la pas Max Verstappen, ndërsa rivali i tij më i afërt për titull, shoku i skuadrës Oscar Piastri, u pozicionua i pesti, duke i dhënë Norrisit mundësinë të zgjerojë diferencën në krye të renditjes.
Norris tregoi qetësi të jashtëzakonshme, duke thënë se pak para nisjes së provave kishte bërë “një sy gjumë”, me pritshmërinë se pista do të ishte e thatë.
Megjithatë, ai arriti të përballonte sipërfaqen “të keqe dhe të rrezikshme” të pistës, në kontrast të fortë me dëshpërimin e Lewis Hamilton, i cili u rendit i 20-ti, hera e parë në 19 sezone që ndodhet në fund për shkak të mungesës së ritmit. Hamilton u ankua për pamundësinë e gomave të lagështa dhe mungesën totale të shikueshmërisë.
Problemet e Ferrarit vazhduan edhe me Charles Leclerc, i cili përfundoi i nënti dhe shpërtheu në radio për mungesën e plotë të mbërthimit: “Zero grip, zero fare.” Ferrari ka vuajtur gjatë gjithë sezonit me aktivizimin e gomave në kushte shiu.
Norris kryeson renditjen me 24 pikë para Piastrit dhe 49 para Verstappenit. Nëse e mbyll raundin e ardhshëm në Abu Dhabi me +26 pikë ndaj australianit, britaniku mund të shpallet kampion bote për herë të parë.
Kualifikimet u zhvilluan fillimisht me gomat full-wet, ndërsa në Q3 ekipet kaluan në intermediates për një duel me kohën.
Verstappen vendosi kohë të fortë në përpjekjen e fundit, por Norris, pavarësisht një gabimi në sektorin e tretë, siguroi “pole position”. Carlos Sainz doli i treti me Williams, ndërsa George Russell i katërti me Mercedes.

