FITORJA “TRONDIT TOKËN”/ Tifozët e Skocisë shkaktojnë tërmet pas fitores historike ndaj Danimarkës
Kualifikimi në Botëror i Skocisë pas 28 vitesh ndezi një atmosferë që “tronditi tokën”. Festimet e tifozëve skocezë pas fitores 4–2 ndaj Danimarkës shkaktuan lëkundje sizmike të matura nga Shërbimi Gjeologjik Britanik. Piku i aktivitetit u regjistrua pas golit spektakolar të Kenny McLean dhe pas vërshëllimës finale.
Festimet e tifozëve skocezë kanë shkaktuar lëkundje të matura nga Shërbimi Gjeologjik Britanik (BGS), pas fitores 4–2 ndaj Danimarkës që i dërgoi në Kupën e Botës për herë të parë pas 28 vitesh.
Lëkundjet u regjistruan në Observatorin Gjeotermal të Glasgow-t, rreth 2 km larg stadiumit Hampden Park.
Sipas BGS, momenti më i fortë i aktivitetit sizmik u shënua mes orës 21:48 dhe 21:50, pikërisht kur Kenny McLean shënoi golin spektakolar nga gjysmëfusha duke kaluar portierin Kasper Schmeichel.
Një rritje tjetër e ndjeshme u shënua pas vërshëllimës së fundit të arbitrit, ndërsa një valë më e lehtë u regjistrua pas golit të tretë të Kieran Tierney në minutat shtesë.
Lëkundjet korrespondonin me magnitudë mes -1 dhe 0 në shkallën Rihter – të barazvlefshme me rreth 200 kW energji, aq sa për të karikuar 25 deri 40 bateri makinash, ose sa goditja e një topi me shpejtësi 900 m/s. Në stadium ishin të pranishëm 49,587 tifozë.
BGS kujtoi se një fenomen i ngjashëm u regjistrua edhe gjatë koncerteve të Taylor Swift në Edinburgh, megjithëse krahasimi i drejtpërdrejtë nuk është i mundur për shkak të kushteve të ndryshme të terrenit.
Në Mbretërinë e Bashkuar regjistrohen rreth 300 tërmete të vogla në vit, por vetëm 30 prej tyre ndihen nga banorët.

