RAIFFEISEN BANK sjell “Apple Pay”/ Tani mund të paguani direkt nga telefoni celular me siguri të garantuar

Raiffeisen Bank Shqipëri hedh një hap tjetër drejt bankingut të së ardhmes, duke sjellë për herë të parë për klientët e saj shërbimin Apple Pay – një risi që i bashkohet ekosistemit të produkteve të avancuara digjitale të bankës.

Klientët që përdorin pajisje Apple – nga iPhone dhe Apple Watch deri tek iPad dhe MacBook – tashmë mund të paguajnë në çdo pikë shitjeje vetëm me një prekje, pa pasur nevojë të mbajnë me vete portofolin fizik apo kartën bankare.

Apple Pay garanton një nivel të lartë sigurie, pasi numri real i kartës nuk përdoret gjatë pagesës, duke mbrojtur informacionet sensitive të klientit.

Raiffeisen Bank është banka e parë në Shqipëri që e ofron Apple Pay si për kartat Visa, ashtu edhe për ato Mastercard, duke i mundësuar çdo klienti individ një akses të plotë e të menjëhershëm në këtë teknologji moderne pagese.

Po ashtu, banka mbetet e para që bën të mundur edhe shtimin automatik të kartave në Apple Wallet direkt nga aplikacioni “Raiffeisen ON”, një veçori që e thjeshton maksimalisht përvojën e përdorimit.

“Ky zhvillim i ri konfirmon angazhimin tonë për t’u ofruar klientëve përvoja sa më të avancuara dhe të sigurta në përdorimin e produkteve bankare.

Ne besojmë se inovacioni është thelbësor për të përmirësuar jetën e përditshme të klientëve tanë, dhe për këtë arsye po investojmë vazhdimisht në zgjidhje që e bëjnë bankingun më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më afër nevojave të tyre,” – u shpreh Gentiana Gjino, Drejtore per bankingun ditor dhe biznesin me karta ne Raiffeisen Bank.

Përveç Apple Pay, Raiffeisen Bank sjell një gamë të gjerë shërbimesh digjitale që po transformojnë mënyrën se si klientët ndërveprojnë me financat e tyre.

Aplikacioni RaiPay është një nga portofolët digjitalë më të avancuar në treg, i disponueshëm falas si në Android ashtu edhe në iOS.

Ai ofron funksionalitete që i japin klientit kontroll të plotë mbi kartën e tij: shfaqjen e PIN-it, bllokimin dhe zhbllokimin e kartës, apo zëvendësimin e saj vetëm me disa klikime – pa pasur nevojë të vizitohet dega.

Klientët përfitojnë gjithashtu nga transfertat e shpejta kartë–kartë për Visa dhe Mastercard, një mënyrë moderne dhe praktike për të dërguar para në çdo moment, me komisione të ulëta dhe përpunim të menjëhershëm.

Ky ekosistem shërbimesh digjitale tregon qartë vizionin e Raiffeisen Bank për të qëndruar gjithmonë një hap përpara në inovacion, duke ofruar pagesa më të sigurta, më të shpejta dhe më të thjeshta për klientët e saj.