KËRCËNIM GLOBAL/ Studiuesit: Ushqimet ultra të përpunuara dëmtojnë çdo organ të trupit. Masa urgjente për kufizimin e tyre

Studiesit paralajmërojnë se ushqimet ultra të përpunuara dëmtojnë çdo organ kryesor të trupit dhe po kthehen në një kërcënim të madh global për shëndetin. Analiza e 43 ekspertëve tregon lidhje të forta mes tyre dhe obezitetit, diabetit, sëmundjeve të zemrës, depresionit dhe vdekshmërisë së parakohshme. Studiuesit kërkojnë masa urgjente për kufizimin e prodhimit, marketingut dhe konsumit të të tyre, sidomos tek fëmijët.

Një seri studimesh të publikuara në revistën mjekësore “The Lancet” paralajmërohet se ushqimet ultra të përpunuara, nga pijet me gaz deri tek ushqimet e gatshme, po dëmtojnë çdo organ kryesor të trupit dhe përbëjnë një kërcënim të madh për shëndetin global.

Sipas një analize të përmbledhur nga 43 shkencëtarë ndërkombëtarë, ushqimet ultra të përpunuara lidhen me rritje të obezitetit, diabetit të tipit 2, sëmundjeve të zemrës, depresionit dhe një sërë gjendjesh të tjera kronike.

Studimi shqyrtoi 104 kërkime afatgjata dhe gjeti se 92 prej tyre raportuan rrezik të shtuar të sëmundjeve të rënda dhe vdekshmërisë së parakohshme tek individët që konsumojnë sasi të larta të ushqimeve ultra të përpunuara.

Ushqimet ultra të përpunuara përfshijnë produkte të prodhuara industrialisht si ushqime të ngrira, bukë e paketuar, drithëra, çokollata proteinike, pije energjike dhe fast food, shpesh të pasura me aditivë, ngjyrues dhe kimikate të tjera.

Autori kryesor, Prof Carlos Monteiro, thotë se trupi i njeriut nuk është biologjikisht i përshtatur të konsumojë ushqime të tilla. Ai paralajmëron se korporatat globale po nxisin rritjen e konsumit përmes marketingut agresiv, dezinformimit shkencor dhe lobimit kundër rregullimeve shëndetësore.

Studiuesit thonë se këto ushqime po dominojnë gjithnjë e më shumë dietën, sidomos në SHBA dhe Britani, ku më shumë se gjysma e kalorive ditore vjen nga këto ushqime. Për grupet vulnerabël, përqindja arrin deri në 80% të dietës.

Revista mjekësore propozon një paketë për të frenuar rrezikun, duke filluar nga kufizimi i marketingut të këtyre ushqimeve, veçanërisht për fëmijët etiketim të detyrueshëm të përbërësve që tregojnë produktet ultra të përpunuara, ndalim të tyre në shkolla dhe spitale, kufizim të hapësirës së shitjes në supermarkete, si dhe ndërhyrje të qeverive për rregullim të industrisë.

Shkencëtarët paralajmërojnë se rritja e konsumit të ushqimeve  ultra të përpunuara është një nga shtysat kryesore të “pandemisë së sëmundjeve kronike”. Ndërsa debati për definicionin dhe mekanizmat biologjikë vazhdon, ekspertët thonë se veprimi nuk mund të presë dhe kërkojnë përgjegjësi më të madhe nga korporatat dhe qeveritë.