CHIELLINI ZBULON VIZIONIN BARDHEZI/ Juventusi mes ndryshimeve dhe ambicieve të reja
Giorgio Chiellini ka shpjeguar me detaje rolin e tij të ri strategjik te Juventusi. Ish-kapiteni bardhezi ka folur për strukturën e re të klubit, për merkaton, rinovimin e Yildiz dhe për filozofinë që synon t’i rikthejë klubit normalitetin e fitores.
Giorgio Chiellini është rikthyer në shtëpinë bardhezi me një rol të ri dhe një qasje krejt të freskët mbi të ardhmen e Juventusit.
Ai shpjegoi me qartësi detyrat që mbart pozicioni i tij si drejtues i futbollit strategjik.
Sipas tij, titulli “mund të thotë gjithçka ose asgjë”, por përkufizimi i vërtetë lidhet me përgjegjësinë për të mbikëqyrur vlerat, metodën dhe zhvillimin afatgjatë të klubit.
Në fjalët e Chiellinit, Juventusi është në prag të plotësimit të strukturës së re sportive: mungon vetëm drejtori sportiv për nisur me vendimarrjet.
Një nga këto vendime lidhet me rinovimin e yllit Arda Yildiz, për të cilin Chiellini kërkon qetësi dhe ekuilibër.
Ish-mbrojtësi thekson rëndësinë e punës me të rinjtë, duke e konsideruar këtë strategjinë më të qëndrueshme për futbollin modern. Për të, Juventusi nuk duhet të jetojë vetëm me blerje të gatshme, por me formimin e talenteve që ndërtojnë të ardhmen. Ai e sheh veten si mbështetje për të gjithë: lojtarë, staf teknik dhe rreth 350 punonjës që mbajnë gjallë klubin. Me lojtarët ruan distancën e nevojshme, por autoriteti i tij mbetet i natyrshëm falë trashëgimisë në fushë.
Chiellini e pranon se futbolli ka ndryshuar: nga menaxhimi i shëndetit mendor tek analiza e të dhënave, lojtarët e sotëm kërkojnë një qasje tjetër. Për të, përshtatja është çelësi – një mësim që e mori edhe në vitet e fundit në fushë, ku luajti ndryshe nga sa kishte luajtur në moshën 25-vjeçare.
Sa i përket Juventusit, ai nuk tronditet nga ndryshimet teknike apo presioni mediatik.
E sheh sezonin si sfidues, por premton një “dritë të madhe” pas kësaj periudhe tranzicioni. Kampionati është i ekuilibruar, por Chiellini nuk e fsheh optimizmin: me një grup të bashkuar dhe me filozofi të qartë, pse të mos synohet titulli?
Gjithçka varet nga ekuilibri emocional dhe aftësia për të shndërruar presionin në forcë konkurruese.

