Rusia sulmon me dronë në Kharkiv gjatë natës

Një sulm i natës nga forcat ruse në qytetin verilindor të Kharkivit ka lënë të plagosur 32 persona, mes tyre edhe dy fëmijë. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Brendshme e Ukrainës.

Sipas autoriteteve ukrainase, gjatë sulmit u përdorën shumë dronë, të cilët shkaktuan zjarre në disa zona të qytetit.

Brigadat e Shërbimeve Shtetërore të Emergjencave u mobilizuan menjëherë për të shuar flakët dhe për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.

Për momentin, nuk raportohet për viktima, ndërsa hetimet mbi dëmet dhe natyrën e sulmit vijojnë. Autoritetet paralajmërojnë se qyteti mund të përballet sërish me goditje të ngjashme, për shkak të intensifikimit të ofensivave ajrore ruse në këtë rajon.