Francine Faure, një matematikane në jetën dhe shpirtin e stuhisë ekzistenciale të Albert Camus
Dashuria mund të marrë shumë forma. Nganjëherë shfaqet si shpërthim, si poezi e zjarrtë, si premtim i lartë që spalosen në qiell. Por ka raste kur dashuria vjen ndryshe, e heshtur, e qëndrueshme, e duruar. Një lloj dashurie që mbijeton jo sepse është e lehtë, por sepse është e vërtetë.
Kështu ishte lidhja midis Albert Camus dhe Francine Faure: dy botë të ndryshme që e gjetën njëra-tjetrën në kohë të turbullta dhe krijuan një ekuilibër që vetëm ndonjëherë merr trajtë romance, e shumtën herë mbetet kujtim i fortë.
Albert Camus, një nga mendimtarët më të thellë të shekullit XX, jetonte midis dy ekstremeve: kërkimit filozofik dhe trazirave të shpirtit. Në zemër të kësaj stuhie që e ushqente absurditetin e tij të famshëm, qëndroi Francine Faure, matematikane e talentuar, violiniste e ndjeshme dhe një prani tokësore që e lidhte filozofin me realitetin.
U martuan në vitin 1940, në një Evropë që po përmbytej nga lufta, dhe edhe pse martesa e tyre nuk ishte e qetë, ajo mbështetej mbi një lloj respekti të brendshëm që nuk ka nevojë për retorikë. Francine, me logjikën e saj të hekurt, ishte kontrasti i butë i botës së Kamysë, e cila lëkundej mes letërsisë, revoltës morale dhe terreneve të papërpunuara të mendimit ekzistencialist.
Në një letër gjatë viteve të luftës, Camus i shkroi Francine-s:
“Vetëm pranë teje gjej qetësinë që nuk më jep asnjë libër, asnjë ide, as bota.”
Ky ishte një nga rrallët momente kur ai i dorëzohej plotësisht ndjenjës, duke pranuar se edhe filozofi i absurdit kishte nevojë për një strehë të njerëzishme.
Në Oran, kur Camus u godit rëndë nga tuberkulozi, Francine udhëtoi disa ditë vetëm për t’i qëndruar pranë. Nuk e lejonin të hynte shpesh. Ajo rrinte në korridor, me orë të tëra, vetëm për t’ia dëgjuar zërin për pak minuta.
Kur më në fund e lejuan, Camus i tha:
“Më rikthen te jeta vetëm qëndrimi yt.”
Në këto pak fjalë, nuk kishte asnjë filozofi, vetëm një njeri që donte të mbështetej.
Francine, violiniste e talentuar, luante shpesh Bach në mbrëmjet kur Evropa tundej nga lufta. Camus, i heshtur në një qoshe të dhomës, dëgjonte me përulësinë e një njeriu që gjen rend në kaos:
“Kur ti luan, botës i kthehet rendi,” kishte thënë ai.
Në një natë të ftohtë dimri, Camus u ngrit dhe i puthi majat e gishtave, gishtat që mbartnin qetësinë që ai vetë nuk arrinte ta gjente as në librat e tij më të famshëm.
Në periudhat më të vështira të martesës, me stuhitë e tij të brendshme, udhëtimet dhe famën që e rrëmbenin, ai i tha Francine:
“Jam i lidhur me ty si njeriu me dritën. Edhe kur largohem, ajo më ndjek.”
Ishte ndoshta rrëfimi më i çiltër i varësisë shpirtërore që ai ndiente ndaj stabilitetit të saj.
Në vitin 1957, kur Camus mori Çmimin Nobel, ai ishte në kulmin e lavdisë. Pati duartrokitje, intervista, ceremoni.
Por larg kamerave, ai iu kthye Francine-s dhe i tha:
“Po ta dija sa shumë më vrau rruga, do t’i kisha bërë gjërat më ndryshe. Ti je drejtësia ime.”
Një fjali e shkurtër, por e mbushur me pendim dhe nderim. Një pranim i heshtur se ajo kishte qenë boshti i tij, madje edhe kur ai vetë lëkundej.
Martesa e tyre nuk ishte e përkryer. Ishte një marrëdhënie që u testua nga koha, nga pasionet, nga mospranimi i brendshëm i një gjeniu në luftë me veten. Por mbeti e rëndësishme, mbeti e vërtetë, një provë se dashuria nuk është gjithmonë simetri, por shpesh është ajo forcë e padukshme që mban njeriun në këmbë kur bota e tij lëkundet.
Francine, shpesh e fshehur në hijen e famës së Camus, mbeti një pjesë jetike e universit të tij: dritë, qetësi, rend.
Ajo ishte matematika që sqaronte kaosin.
Ai ishte filozofia që herë pas here kërkonte t’i ikte dhe prapë kthehej.
Në fund, historia e tyre mbetet një kujtesë se edhe gjenitë kanë nevojë për një zemër ku të prehen, dhe se dashuria, edhe kur nuk është epike, mund të jetë shpëtimtare.
Përgatiti: Albert Vataj


