ARTI I MADH I TË MËDHENJVE/ Salvador Dalí dhe Philippe Halsman, "dy nxënës të gëzuar që bashkëpunuan për të tronditur publikun"
“Para se të ekzistonte Photoshop-i, ekzistonte Philippe,” kujton Irene Halsman për të atin, Philippe Halsman, mjeshtrin që sfidoi gravitetin e fotografisë shumë përpara se teknologjia të lejonte manipulimin dixhital. Në qendër të korifejve të artit që u bënë pjesë e vizionit të tij spikat piktori surrealist Salvador Dalí, ai i cili e kishte shndërruar imagjinatën në një territor të pashtershëm loje. Që prej vitit 1941, këta dy krijues të pamundësive u lidhën në një aleancë artistike që zgjati 37 vite, duke prodhuar mijëra imazhe që sot konsiderohen gurë themeli të estetikës së shekullit XX. Ndër to, Dalí Atomicus i vitit 1948 mbetet një nga ikonat e fotografisë moderne, tashmë i ekspozuar nga Magnum Gallery në Paris Photo.
Kjo fotografi, një shpërthim i kontrolluar mes trupash në ajër, maceve fluturuese, ujit të hedhur me kova dhe Dalí-t në gjest teatral, erdhi pas 26 dublesh dhe gjashtë orësh të lodhshme, derisa artisti dhe fotografi arritën të kapnin atë çast të vetëm ku kaosi bëhej simetri, dhe simetria, poezi. Revista TIME e ka renditur ndër imazhet më me ndikim të të gjitha kohërave, jo vetëm për tekniken, por për mënyrën se si e thyente mendimin e kohës mbi kufijtë e realitetit.
Në studion e Halsman-it në Nju Jork, dyshja krijonte botë të tjera. Ata shpiknin skena si alkimistë të çmendur: mustaqja e Dalí-t bëhej kompas, spirale, shenjë grafike, alegori ose instrument filozofik. Çdo ide përfundonte në një eksperiment ku fotografia nuk ishte më regjistrim, por shfaqje. “Ishin si dy nxënës të gëzuar që bashkëpunonin për të tronditur publikun,” thotë Irene, dhe vërtet, në lojën e tyre fshihej një seriozitet krijues që rrallë fitohet në art: dëshira për të çuar shikuesin në një vend ku realiteti nuk ka më rregulla.
Dalí Atomicus, imazhi i dytë i këtij postimi, paraqitet si një print vintage në gelatinë argjendi, i prodhuar nga vetë Halsman-i. Ekspozita ndodhet në stendën C02 të Magnum Gallery në Grand Palais, ku vizitorët mund të ndalen përballë këtij shpërthimi të ngrirë në kohë – një kujtesë se arti, përpara teknologjisë, e kishte fuqinë e vet ta bënte të pamundurën të dukej e natyrshme.
Përgatiti: Albert Vataj

