FOTO/ Broja mban fjalim para skuadrës në ‘Air Albania’, kërkon ndjesë, grupi e pret me duartrokitje

Çështja e Armando Brojës ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, pas sjelljes së tij pas fitores ndaj Andorrës dhe kualifikimit në play-off.

Sulmuesi nuk iu bashkua festimeve të ekipit dhe vetëm ndërhyrja e kapitenit Elseid Hysaj e solli pranë grupit, duke hapur shumë diskutime.

Në dhomat e zhveshjes gjërat u tensionuan edhe më shumë, pasi Broja u duk i distancuar dhe i mërzitur, gjë që krijoi një atmosferë të çuditshme brenda skuadrës.

Kjo situatë u komentua gjerësisht në publik, por edhe në kampin kuqezi.

Trajneri Sylvinho, në konferencën e ditës së sotme, tha se kishte folur personalisht me Brojën dhe me lojtarët e tjerë, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe faktin që “grupi duhet të qëndrojë bashkë në të mirë e në të vështirë”.

Sot, në stërvitjen e fundit para përballjes me Anglinë, Broja vendosi të marrë vetë fjalën.

Para se të niste seanca në stadiumin “Air Albania”, ai mbajti një fjalim të shkurtër përpara gjithë skuadrës, ku kërkoi ndjesë për situatën e krijuar dhe sqaroi qëllimet e tij.

Lojtarët e pritën me duartrokitje dhe buzëqeshje, një shenjë e qartë se çështja është mbyllur dhe se fokusi tashmë është vetëm te sfida e madhe ndaj Anglisë.