Haaland, para ndeshjes me Italinë: Ndiej përgjegjësinë ta çoj Norvegjinë në Botëror

Erling Haaland mbërrin në “San Siro” me një formë të frikshme dhe një mesatare pothuajse dy gola për ndeshje mes Norvegjisë dhe Manchester City-t.

Në konferencën për shtypin, një ditë para sfidës ndaj Italisë në kualifikueset e Botërorit 2026, sulmuesi norvegjez shprehu vendosmërinë për të mbyllur grupin me pikë të plota.

“E dimë që kjo është ndeshja e fundit dhe duam të përfundojmë me 100% të pikëve.

Kemi një frymë të jashtëzakonshme skuadre dhe duam ta mbyllim këtë rrugëtim siç duhet,” – tha Haaland.

‘Bomberi’ 25-vjeçar pranoi se është në një moment të artë të karrierës, por shmangu krahasimet personale:

“Po luaj me shumë besim, por nuk jam unë ai që duhet të gjykoj nëse jam sulmuesi më i mirë në botë.

Ndihem mirë, jam krenar për nivelin ku jam aktualisht.

Ndiej përgjegjësinë të çoj Norvegjinë në Botëror; që kur kam lindur, vendi ynë nuk ka luajtur asnjë herë në Kupën e Botës.”

Haaland nuk e shmangu as temën e Gigio Donnarumma-s, me të cilin tani është bashkëlojtar te Manchester City:

“Bashkë me Courtois, ai është portieri më i mirë në botë.

Është një njeri i shkëlqyer dhe kam vetëm fjalë të mira për të. Është fantastik si lojtar dhe do të jetë e veçantë të luaj kundër tij.”

Sa i përket së ardhmes, norvegjezi la gjithçka të hapur:

“Më pëlqen Italia, kam luajtur këtu dhe kurrë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Por tani nuk po mendoj për këtë,” – përfundoi Haaland.