Yjet zbresin në Vatikan, Papa Leoni hap dyert për elitën e Hollywood-it
Papa do të mbajë një audiencë të posaçme me aktorë e regjisorë.
Një grup i madh aktorësh dhe yjesh të Hollywood-it do të zhvillojnë sot, një audiencë të posaçme me Papa Leonin në Vatikan. Mes tyre janë aktorët, Monica Bellucci, Chris Pine dhe Adam Scott, Cate Blanchett, si edhe regjisorët e njohur Spike Lee, George Miller etj.
Takimi organizohet në kuadër të aktiviteteve kulturore të Vitit të Shenjtë, por vëzhguesit e Vatikanit mendojnë se ai synon edhe rritjen e profilit publik të Papa Leonit. Leoni, prej vetëm gjashtë muajsh në detyrë, konsiderohet një figurë më e qetë dhe më pak karizmatike se Papa Françesku, ndaj Vatikani ka nisur menjëherë ndërtimin e imazhit të tij përmes takimeve me personalitete të njohura nga sporti dhe arti.
Ai tashmë ka pritur tenistin Jannik Sinner, aktorin Al Pacino dhe këngëtaren Laura Pausini. Sipas analistëve, shfaqja e Papës në hapësirat e kulturës popullore është një mënyrë efektive për ta bërë atë të njohur për publikun e gjerë. Në prag të takimit me aktorët, Papa Leoni bëri publike edhe filmat e tij të preferuar. Gazetarët ndërkombëtarë theksojnë se këto audienca sjellin PR pozitive për të dyja palët si për Papën, ashtu edhe për artistët që kërkojnë vëmendje mediatike.
