ZBARDHET DOSJA/ Dokumentet e reja zbulojnë kontaktet diplomatike në arkivën Epstein

Emri i diplomatit sllovak Miroslav Lajçak shfaqet në email-et e sapopublikuara të Jeffrey Epstein, ku ai përmendet si “mik i afërt” dhe figurë me peshë ndërkombëtare. Dokumentet nuk ofrojnë prova për përfshirjen e Lajçakut në aktivitetet kriminale të Epstein, por tregojnë përpjekjet e financierit për të zgjeruar rrjetin e ndikimit. Ndërkohë, presidenti amerikan  Donald Trump ka urdhëruar një hetim të ri mbi lidhjet e Epstein me personalitete politike dhe bankare amerikane.

Publikimi i një seti të ri dokumentesh nga ligjvënësit amerikanë ka rikthyer në qendër të vëmendjes skandalin global të njohur si “Dosjet Epstein”.

Në mesin e mijëra faqeve të materialeve, del edhe emri i diplomatit të njohur sllovak Miroslav Lajçak, sot këshilltar i kryeministrit Robert Fico për çështjet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas mediave sllovake, Epstein e përmend Lajçakun në disa email-e nga viti 2019, duke e quajtur madje me nofkën “Miro”, dhe duke e prezantuar si një mik të afërt me rëndësi të lartë në skenën evropiane. Në një tjetër komunikim ai shkruan se “Miro do të vijë në Palm Beach për të diskutuar strategji”.

Megjithatë, mediat theksojnë se dokumentet nuk japin asnjë provë se Lajçak ka qenë i përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm.

Ato thjesht tregojnë se Epstein e konsideronte diplomatin si pjesë të rrjetit të tij të kontakteve dhe ndikimit.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump ka kërkuar një hetim të ri federal për lidhjet e supozuara të Epstein me Bill Clinton, disa banka të mëdha dhe figura të tjera të njohura.

Ai ka urdhëruar FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë të analizojnë marrëdhëniet e financierit me politikanë dhe biznesmenë demokratë.

Kjo nismë vjen pak para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ligjvënësit pritet të vendosin nëse dosjet e plota të Epstein do të bëhen publike.

Publikimi i tanishëm ka hedhur dritë mbi kontaktet globale të financierit, por ka hapur edhe debate të reja politike në Uashington dhe kryeqytete të tjera evropiane.