Tornadoja shkërmoq qytetin brazilian/ 6 viktima dhe mbi 400 qytetar të plagosur
Një tornado e fuqishme ka goditur qytetin Rio Bonito do Iguaçu në Brazilin jugor, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë. Autoritetet konfirmojnë të paktën gjashtë të vdekur dhe mbi 400 të plagosur. Rreth 90% e qytetit është shkatërruar plotësisht. Qindra banorë kanë mbetur pa strehë dhe kërkojnë ndihmë urgjente.
Një tornado shkatërruese ka goditur Brazilin jugor, duke kthyer qytetin Rio Bonito do Iguaçu në një zonë lufte. Forca e erës, që arriti mbi 250 kilometra në orë, rrafshoi dhjetëra shtëpi, shkolla dhe biznese të tëra.
Autoritetet njoftojnë për të paktën gjashtë të vdekur, mes tyre një vajzë 14-vjeçare dhe më shumë se 400 të plagosur. Dhjetë persona kanë marrë trajtim mjekësor disa mbeten në gjendje kritike, ndërsa numri i viktimave mund të rritet.
Guvernatori i shtetit të Paranás ka shpallur tre ditë zie kombëtare dhe ka vendosur gjendjen e katastrofës. Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva ka shprehur solidaritet me viktimat dhe ka premtuar ndihmë emergjente për rajonin.
Në zonën e shkatërruar janë dërguar ekipe të mbrojtjes civile, ushqime, produkte higjiene, dyshekë dhe mushama për strehim të përkohshëm. Banorët, të tronditur, tregojnë për momente paniku dhe frike, ndërsa shumë prej tyre kanë humbur gjithçka.
Sipas autoriteteve, më shumë se 90% e qytetit është dëmtuar rëndë. Pamjet nga ajri tregojnë një peizazh të rrafshuar, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën në terren.
Autoritetet braziliane u bëjnë thirrje qytetarëve larg zonës së prekur të ndihmojnë me donacione familjet që kanë mbetur pa strehë.
