Koloneli i ngujuar në Pokrovsk: Luftojmë shtëpi më shtëpi, rusët janë më shumë por ne po rezistojmë
Në zemër të betejës më të përgjakshme të luftës ruso-ukrainase, nënkoloneli ukrainas Mykhailo Kmytiuk, komandant i njësisë speciale “Taifun”, rrëfen për Corriere Della Sera realitetin e përditshëm në Pokrovsk, një qytet që po përjeton luftën në formën më brutale.
Mes rrënojave, dronëve vdekjeprurës dhe përballjes shtëpi më shtëpi, Kmytiuk flet për sfidat, humbjet, frikën dhe vendosmërinë për të rezistuar përballë një armiku numerikisht më të madh.
Intervista sjell një panoramë të rrallë nga vijat e para të frontit, ku çdo ditë është një luftë për mbijetesë dhe çdo vendim ka peshën e jetës.
“Po zhvillohet një betejë klasike urbane në epokën e dronëve. Njësi shumë të vogla, nga tre ose katër ushtarë, lëvizin mes rrënojave dhe ndërtesave ende në këmbë.
Është një përballje shtëpi më shtëpi, bodrum më bodrum, nuk e di kurrë çfarë ke përballë apo pas shpine.
Ditë të lodhshme, me më të mirët e batalioneve ruse që kanë depërtuar në qytet. Për çdo ushtar, tonin apo të tyre, makthi më i madh janë dronët.
Në qiell dëgjohen vazhdimisht dhe nuk e dimë nëse janë tanët apo të tyret.“, kështu e përshkruan situatën në Pokrovsk nënkoloneli 32-vjeçar Mykhailo Kmytiuk, me emrin e luftës “Michel”. Ai ndodhet në këtë sektor që nga tetori 2024 dhe flet ndërsa lëviz me xhipin e tij.
A janë të rrethuar ukrainasit në Pokrovsk?
“Situata mbetet e vështirë. Por është pak më mirë se sa ishte tre apo katër ditë më parë, kemi marrë përforcime dhe armë të reja. Lufta urbane vazhdon, shumë e egër.
Por tani duket më e qëndrueshme dhe më e kontrolluar. Madje kemi arritur të ndalim ofensivën ruse në zona përreth si Dobropillia. Por është e qartë që Putin-i do të marrë gjithë Donbasin për t’u përqendruar më pas në Zaporizhzhia.”
Si reagojnë rusët ndaj përforcimeve tuaja?
“Po intensifikojnë sulmet me dronë dhe bomba, të lëshuara nga avionë larg vijës së frontit, që vijnë me shpejtësi të madhe dhe janë shumë të vështira për t’u goditur. Ende nuk kemi përgjigje të qarta ndaj këtyre armëve.”
Pse mendoni se situata është përmirësuar?
“Sepse kanë ardhur zëvendësime për mijëra ushtarë që ishin të rraskapitur. Tani mund të ndërrohemi.”
Moska thotë se jeni tërësisht të rrethuar…
“Nuk është e vërtetë. Mund të hyjmë dhe të dalim nga qyteti, edhe pse me shumë vështirësi. Edhe për ta lëvizjet janë të ndërlikuara dhe shumë të rrezikshme.
E shoh çdo ditë në ekranet e bunkerëve tanë: po zhvillohet një betejë gjigante për kontrollin e qiellit, e dominuar nga dronët.”
A është e vërtetë që rusët kontrollojnë 60% të zonës urbane?
“E pamundur të thuhet. Ka një zonë gri të madhe mes shtëpive ku patrullat ruse dhe ukrainase përplasen. Fronti ndryshon minutë pas minute.”
Si arritën rusët të hyjnë në qytet në fund të korrikut?
“Moska bombardoi me armë gjigante, mbi tre tonë secila. Pastaj dërguan më të mirët e brigadave të tyre, njësi speciale të trajnuara për luftë urbane.”
A janë 170 mijë ushtarë rusë të përqendruar në zonë?
“Besojmë se janë edhe më shumë.”
Sa civilë kanë mbetur nga 60 mijë banorët e dikurshëm?
“Fatkeqësisht ende shumë, mendoj se diku te 3 ose 4 mijë. Janë problem për ne: nuk dimë nëse janë me ne apo me armikun.
Frikësohemi se mund të jenë spiunë që u tregojnë rusëve pozicionet tona. Kur i gjejmë të fshehur në bodrume, përpiqemi të flasim me ta, të kuptojmë çfarë mendojnë, por është e vështirë. Dhe pyetja është gjithmonë e njëjtë: pse qëndroni, kur vdekja është kudo përreth?”
A po pësojnë rusët humbje të mëdha?
“Nuk mund të jap një panoramë të përgjithshme. Por në sektorin tonë, përballë kemi rreth 100 ushtarë rusë dhe vrasim mesatarisht 2–3 në ditë.
Të plagosurit janë 8 deri në 12. Ne kemi më shumë të plagosur sesa të vrarë, sepse jemi të ngujuar.”
“Kemi shumë të plagosur lehtë dhe mesatarisht 2–3 të plagosur rëndë në ditë.”
A do ta marrë Putin-i Pokrovsk-un deri në fund të vitit?
“Më duket ende një histori e gjatë. Por është e vërtetë që rusët kanë shumë ushtarë dhe vazhdojnë të dërgojnë të tjerë.”
“Na duhen dronë me krahë fikse, që mund të godasin prapavijat ruse deri në 20 kilometra larg, ku ndodhen bazat dhe komandat e dronëve të tyre.
Tani zona e rrezikut është zgjeruar shumë, mbi 25 kilometra, ndaj na duhen dronë me autonomi më të madhe.”/Corriere Della Sera
