VIDEO/ Konkursi “Transport, inovacion dhe siguri”, mundësi për ide të reja në transportin e gjelbër

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ftoi sot të rinjtë e apasionuar pas inovacionit të marrin pjesë në konkursin “Transport, Inovacion dhe Siguri (TIS)”, i cili rikthehet edhe këtë vit si një nismë që nxit idetë e reja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të transportit.

Balluku theksoi se synimi i tij është promovimi i projekteve që kontribuojnë në një transport më të zgjuar, më të gjelbër dhe më të sigurt.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është i hapur deri më 14 nëntor, ndërsa konkursi pritet të mbledhë ide dhe propozime nga individë, studentë, sipërmarrës dhe ekspertë të fushës së transportit e teknologjisë.

Ky është viti i dytë që zhvillohet konkursi “TIS”, i cili mbështet inovacionin dhe sigurinë në transport si pjesë e vizionit qeveritar për modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e eficiencës energjetike.