Historike në NBA/ Shitet skuadra e Los Angeles Lakers, epoka ‘Buss’ mbyllet pas 46 vjetësh
Liga NBA ka miratuar zyrtarisht shitjen e shumicës së aksioneve të Los Angeles Lakers, duke vulosur një nga tranzicionet më historike në sportin amerikan.
Të gjitha ‘franchise’-at votuan unanimisht pro kalimit të kontrollit te Mark Walter, CEO i grupit TWG Global.
Kështu, familja legjendare Buss largohet nga drejtimi i klubit pas afro gjysmë shekulli, duke lënë pas një trashëgimi prej 11 titujsh kampion në këtë periudhë.
Pesë tituj erdhën në epokën e Magic Johnson, tre me Shaquille O’Neal dhe Kobe Bryant, dy të tjerë me Kobe-n dhe Pau Gasol, ndërsa i fundit me LeBron James si ‘ylli’ kryesor.
Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, përshëndeti ndryshimin duke nënvizuar besimin te pronari i ri: “Mark Walter ka një histori të gjatë në ligat tona, si ortak i Lakers dhe pronar kryesor i Los Angeles Sparks për më shumë se një dekadë.
Jam i bindur se ai do të jetë një drejtues i përkushtuar dhe një pasuri e madhe për ligën.”
Silver falënderoi edhe familjen Buss: “I shpreh mirënjohjen Jeanie Buss dhe familjes Buss për 46 vite udhëheqjeje transformuese.”
Megjithatë, Jeanie Buss do të vazhdojë si guvernatore e klubit për të paktën pesë vitet e ardhshme, duke ruajtur lidhjen historike të familjes me një nga organizatat më të mëdha sportive në SHBA.
Shuma e saktë e shitjes nuk është bërë ende publike, por raportimet flasin për rreth 10 miliardë dollarë, dhe sipas burimeve të “The Athletic”, vlera mund të arrijë deri në 12 miliardë.
Kjo e bën marrëveshjen më të madhen në historinë e sportit amerikan, duke tejkaluar çdo rekord të mëparshëm.
Lakers hyjnë kështu në një epokë të re, me ambicie të mëdha dhe me pritshmëri që rriten edhe më shumë.
