Kategoria Superiore/ Bylisi fiton ndaj Vorës me 10 lojtarë
Java e nëntë e Kategorisë Superiore u hap me një ndeshje plot emocione në “Adush Muça”, ku Bylisi triumfoi 2-1 ndaj Vorës, edhe pse luajti me një lojtar më pak për më shumë se 70 minuta.
Pas tri humbjeve radhazi, ballshiotët u rikthyen te fitorja me një paraqitje të karakterit dhe vendosmërisë.
Skuadra vendëse mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 18-të, pas ndëshkimit me karton të kuq të Abazajt, por nuk u dorëzua.
Vetëm katër minuta më pas, në të 22-ën, Ualison kaloi Bylisin në avantazh, duke ndezur entuziazmin në tribunat.
Në pjesën e dytë, Vora reagoi dhe në minutën e 57-të arriti barazimin me Karricën.
Fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi u ndryshua dhe rezultati u bë 1-1.
Megjithatë, fati iu ktheu buzëqeshjen vendasve.
Në minutën e 77-të, një goditje e fuqishme e Sanogos u përplas në traversë dhe më pas topi u kthye në rrjetë pas një devijimi të pafat të Ruçit, që regjistroi autogol.
Me këtë fitore 2-1, Bylisi i jep fund serisë negative dhe rigjen besimin, ndërsa Vora largohet e zhgënjyer, pasi nuk shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë.
