Ngacmim online ndaj Brigitte Macron, dhjetë të akuzuar
Dhjetë persona u përballën sot në gjyq në Paris për ngacmim online ndaj zonjës së parë franceze, Brigitte Macron, njoftuan prokurorët.
Tetë burra dhe dy gra akuzohen për komentet keqdashëse mbi gjininë e zonjës së parë dhe diferencën e moshës mes saj dhe presidentit Emmanuel Macron, me disa postime që përmbanin akuza të pabaza për pedofili.
Rasti i ngacmimit online lidhet me një teori konspirative që qarkullon në rrjetet sociale që nga zgjedhja e Macron në vitin 2017, e cila gjoja pretendon se Brigitte Macron është një grua transgjinore që ka lindur mashkull.
Gjyqi në Paris do të zgjasë dy ditë, me prezantimin e provave që pritet të përfundojë nesër. Gjykata nuk ka bërë të ditur ende se kur do të jepet vendimi.
Brigitte Macron depozitoi ankesë për ngacmim online në gusht 2024, duke çuar në arrestimin e përkohshëm të të dyshuarve, të cilët janë midis moshës 41 dhe 60 vjeç.
Të akuzuarit rrezikojnë deri në dy vite burg. Në korrik, Macronët patën depozituar edhe një padi për shpifje me 22 pika në Shtetet e Bashkuara ndaj podkasteres së djathtë Candace Owens për pretendimin se Brigitte Macron mund të ishte mashkull.
