Netanyahu mohon diktatin e Trump: Izraeli është shtet sovran,vendos vetë me kë do të bashkëpunojë
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është një shtet sovran dhe do të përcaktojë politikën e vet të sigurisë dhe se cilat fuqi të huaja do të pranojë të bashkëpunojnë me të.
“Muajin e fundit, kemi qenë dëshmitarë të pretendimeve qesharake në lidhje me marrëdhënien midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Kur isha në Uashington, u tha se unë kontrolloj qeverinë amerikane, se unë diktoj politikën e saj të sigurisë. Tani ata pretendojnë të kundërtën, se qeveria amerikane më kontrollon mua dhe dikton politikën e sigurisë së Izraelit”, tha Netanyahu.
Sipas tij, asnjë nga këto nuk është e vërtetë.
“Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Izraeli është një vend i pavarur. Shtetet e Bashkuara janë një vend i pavarur. Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie partnerësh.
Ne nuk kërkojmë miratimin e askujt për atë që bëjmë. Ne kontrollojmë sigurinë tonë dhe gjithashtu e kemi bërë të qartë, në lidhje me forcat ndërkombëtare, se Izraeli do të vendosë se cilat forca janë të papranueshme për ne. Kështu veprojmë dhe kështu do të vazhdojmë të veprojmë”, theksoi Netanyahu në fillim të mbledhjes së kabinetit.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron Izraelin se mund të humbë mbështetjen historike të Shteteve të Bashkuara, nëse anekson Bregun Perëndimor, siç u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për revistën TIME.
“Kjo nuk do të ndodhë, sepse unë i dhashë fjalën vendeve arabe. Izraeli do të humbasë gjithë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara nëse ajo gjë ndodh.”
Që Izraeli nuk do ta ndërmarrë këtë hap, Trump e konfirmoi para gazetarëve edhe në mbledhjen e kabinetit të tij në Uashington.
Interesi ishte i lartë, pasi parlamenti izraelit miratoi të mërkurën kalimin për diskutim në komisionet parlamentare të një projektligji për shtrirjen e juridiksionit të ligjeve të shtetit të Izraelit edhe në territorin palestinez të Bregut Perëndimor.
Projektligji është nismë e disa deputetëve ultranacionalistë që nuk janë pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanjahu, por u mbështet edhe nga ministrat nacionalistë të kabinetit si Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotriç.
