Stuhia “Melissa” shndërrohet në uragan, deri tani ka vrarë 4 njerëz! Kërcënon me katastrofë e shkatërrime Xhamajkën dhe Haitin
Stuhia tropikale “Melissa”, e cila ka vrarë tashmë të paktën katër persona, të gjithë në ishullin Hispaniola të Karaibeve, u shndërrua në uragan të shtunën dhe pritet të forcohet më tej ndërsa lëviz drejt Xhamajkës, sipas një parashikimi të ri nga Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) e SHBA-së.
“Melissa është shndërruar në uragan” me erëra “deri në 120 kilometra në orë”, tha NHC nëpërmjet X. Ajo paralajmëroi se fenomeni ka të ngjarë të tregojë forcim “të shpejtë” dhe të shndërrohet në një “uragan të madh” sot.
Fenomeni ekstrem mori jetën e tre personave në Haiti dhe një tjetri në Republikën Dominikane fqinje, ku një adoleshent u shpall i zhdukur, sipas autoriteteve në të dy vendet.
“Uji përmbyti më shumë se gjysmën e shtëpisë”, tha Angelita Francisco, një shtëpiake 66-vjeçare që jeton në Santo Domingo, kryeqytetin e Republikës Dominikane. “Ndiheshim të pafuqishëm, nuk kishte asgjë që mund të bënim, përveçse të largoheshim, të linim gjithçka pas”, shtoi ajo duke qarë.
Nëntë nga 31 provincat e vendit u shpallën në alarm të kuq për shkak të rrezikut të përmbytjeve të menjëhershme dhe rrëshqitjeve të dheut. Melissa po lëviz në drejtim të Xhamajkës. Pritet që uragani të godasë ishullin për ditë të tëra, përpara se të lëvizë në veri dhe të kërcënojë Kubën.
NHC parashikon erëra të forta, shira të rrëmbyeshëm, përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje toke në Xhamajka dhe Haiti.
Popullsia e Haitit jugperëndimor duhet të fillojë “menjëherë përgatitjet e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe jetesën e tyre”, paralajmëroi qendra, duke vënë në dukje se cikloni mund të “shkaktojë dëme të mëdha në infrastrukturë dhe potencialisht të izolojë komunitetet për një periudhë të zgjatur”.
Kryeministri xhamajkan Andrew Holness të premten u bëri thirrje banorëve të zonave në rrezik përmbytjesh të monitorojnë vazhdimisht buletinet paralajmëruese dhe të jenë të përgatitur të braktisin shpejt shtëpitë e tyre.
Shirat e shkaktuara nga Melissa kanë përmbytur tashmë rrugët në kryeqytetin Kingston, sipas materialit vizual të transmetuar nga mediat xhamajkane. Melissa ishte stuhia e 13-të tropikale e sezonit të Atlantikut (fillimi i qershorit deri në fund të nëntorit).
Cikloni i mëparshëm i madh që goditi Xhamajkën ishte Beryl, në fillim të korrikut 2024. I fortë në mënyrë të papritur për atë muaj të sezonit, ai la të paktën katër të vdekur në ishull.
