Vjeshta krijon tablo magjike në Lëpushë

Vjeshta me magjinë e saj e ka shndërruar fshatin turistik të Lëpushës në në një tablo pikture.

Me ardhjen e vjeshtës pyjet që rrethojnë fshatin duken si qilim shumëngjyrësh, ku përzihen e kuqja e zjarrtë dhe e verdha e ndritshme. Çdo shteg, çdo pemë, duket si një tablo e gjallë që ndryshon pamje nga dita në ditë.

Kryeministri Edi Rama ndau foto nga ngjyrat magjike të kësaj vjeshte në këtë zonë të Malësisë së Madhe.

E njohur për peizazhet e saj të mahnitshme dhe natyrën e paprekur, Lëpusha kthehet në pikturë me ardhjen e vjeshtës. Për vizitorët dhe adhuruesit e natyrës, kjo është koha ideale për të përjetuar një atmosferë të qetë dhe të ngrohtë.

Lëpusha, e ndodhur 21 km larg Tamarës dhe 10 km më në juglindje të fshatit Vermosh, në këtë stinë ofron një përvojë unike për këdo që kërkon të largohet nga zhurma e qytetit dhe të gjejë qetësinë në këtë panoramë vjeshte.

E cilësuar si një nga pikat turistike më të bukura në Alpet Shqiptare, Lëpusha tërheq turistë në çdo stinë me natyrën, peizazhet malore.

Shtimi i bujtinave dhe rruga tashmë e rregulluar e bëjnë të lehtë aksesin në zonë për udhëtim të paharrueshëm. Kryesisht Lëpusha vizitohet edhe nga turistë të huaj, të cilët pëlqejnë ngjitjet malore, aventurën, dhe sportet e borës.