VIDEO/ Arrestohet 22-vjeçari në Tiranë, shfrytëzonte 4 shtetase kolumbiane
Një i ri në Tiranë është arrestuar për shfrytëzim të prostitucionit, pasi përdorte katër shtetase kolumbiane për këtë aktivitet.
Dy nga gratë, 20 dhe 27 vjeçe, kishin marrë me qira një apartament në Rrugën e Barrikadave dhe e kishin përshtatur atë për ushtrimin e prostitucionit, ndërsa dy të tjera po procedohen penalisht për veprën penale “Prostitucioni”.
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet procedurale janë dërguar në prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Goditet një rast i shfrytëzimit të prostitucionit dhe i përshtatjes së ambienteve, për prostitucion. Identifikohet dhe arrestohet një 22-vjeçar që shfrytëzonte 4 shtetase kolumbiane, për prostitucion.
Vihen në pranga 2 nga këto shtetase, pasi kishin përshtatur apartamentin ku banonin bashkë me 2 shtetaset e tjera kolumbiane, në Rrugën e Barrikadave, për ushtrimin e prostitucionit. Procedohen penalisht 2 shtetaset e tjera që ushtronin prostitucion.
Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Apartamenti”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-K. P., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
-J. O., 20 vjeçe, dhe L. C., 27 vjeçe, shtetase kolumbiane, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Prostitucioni”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetaset kolumbiane K. R., 23 vjeçe, dhe A. A., 21 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi K. P. shfrytëzonte për prostitucion, 4 shtetaset kolumbiane. 2 prej tyre, shtetaset J. O. dhe L. C., kishin marrë me qira, një apartament në Rrugën e Barrikadave, për të banuar bashkë me 2 shtetaset e tjera, dhe e kishin përshtatur atë, për ushtrimin e prostitucionit.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
