Stërvitja vjetore bërthamore e NATO-s 'Steadfast Noon' përfundon në Holandë
Aleanca e NATO-s po përmbyll stërvitjen e saj vjetore bërthamore “Steadfast Noon”, e cila këtë vit u zhvillua kryesisht në Detin e Veriut, larg kufijve me Rusinë dhe Ukrainën.
Ushtrimi, që nisi më 13 tetor, përfshiu 71 avionë nga 14 shtete anëtare të NATO-s dhe u fokusua në mbrojtjen dhe sigurinë e armëve bërthamore përpara çdo përdorimi të mundshëm.
Pjesa më e madhe e manovrave u zhvillua pranë bazave ushtarake në Belgjikë, Britani, Danimarkë dhe Holandë.
Këtë vit, stërvitja u mbajt nën masa të shtuara sigurie për shkak të shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore evropiane nga dronë, disa prej të cilëve dyshohet se janë me origjinë ruse.
“Është koha të flasim hapur me publikun për këto operacione.
Nuk bëhet fjalë për provokim, por për tregimin e gatishmërisë sonë për të vepruar në çdo moment,” tha Koloneli Daniel Bunch, Shefi i Operacioneve Bërthamore të NATO-s.
Gjatë stërvitjeve, avionë bombardues dhe luftarakë të aftë për të mbajtur koka bërthamore u ngritën nga pista, por pa përdorur armë të vërteta apo municione aktive.
SHBA-ja vuri në dispozicion avionë F-35, aeroplanë furnizues me karburant dhe mjete mbështetëse, ndërsa Finlanda dhe Polonia dërguan avionë luftarakë.
Në operacione u përdorën gjithashtu pajisje të luftës elektronike dhe sisteme të zbulimit e inteligjencës.
“Kjo është një detyrë e veçantë brenda NATO-s dhe kërkon përgatitje të posaçme,” deklaroi nënkoloneli Bram Versteeg, komandant i skuadriljes 312 të Forcës Ajrore të Holandës.
Zyrtarët e NATO-s nuk zbuluan skenarët e testimit të gatishmërisë bërthamore, por theksuan se stërvitja nuk është e drejtuar kundër ndonjë shteti të veçantë dhe nuk lidhet me ngjarjet aktuale ndërkombëtare.
Shefi i Drejtorisë së Politikave Bërthamore të NATO-s, James Stokes, theksoi se pavarësisht retorikës së ashpër të Kremlinit, “nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë”.
Sipas deklaratës së samitit të Uashingtonit të vitit të kaluar, “qëllimi themelor i kapaciteteve bërthamore të NATO-s është ruajtja e paqes, parandalimi i kërcënimeve dhe dekurajimi i agresionit”.
“Për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, NATO do të mbetet një aleancë bërthamore,” thuhet në dokument.
Stërvitja “Steadfast Noon” pritet të përfundojë më 24 tetor.
