Marok/ Valë arrestimesh dhe paraburgimesh, por grupet e të rinjve nuk ndalen

Një valë arrestimesh, paraburgimesh dhe dënimesh po zhvillohen në Marok.

Gjykatat e apelit ka dënuar protestuesit e Gen Z, të cilët  prej tre javësh janë në protestë, duke kërkuar përmirësim të arsimit, shëndetësisë, akses më të gjerë në tregun e punës dhe dorëheqjen e qeverisë së Kryeministrit Aziz Akhannouch.

Të mërkurën, më 15 tetor, Gjykata e Apelit në Agadir dënoi 17 persona të akuzuar për “djegie të qëllimshme të mjeteve të tjera”, “dëmtime të pronës publike dhe private” dhe “bllokim të rrugëve me barrikada” gjatë trazirave që shoqëruan protestat. Tre të pandehur morën 15 vjet burg, njëri 12 vjet, nëntë të tjerë 10 vjet dhe disa të tjerë nga 3 deri në 5 vjet burg.

Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut (AMDH) ka deklaruar se që nga 27 shtatori janë arrestuar rreth 2 mijë persona në të gjithë vendin.

Afërsisht 1 200 janë paraqitur në prokurori ndërsa rreth 300 janë liruar, ndërsa pjesa tjetër po ndiqet penalisht, përfshirë një numër të konsiderueshëm të miturish.

Dënimet e 15 tetorit interpretohen si një paralajmërim për qytetarët që guxojnë të denoncojnë këto realitete sociale që ndajnë shoqërinë marokene.

Derisa qeveria ka reaguar vetëm me deklarata, grupet Gen Z ka ftuar të rinjtë dhe qytetarët të organizojnë protesta paqësore në të gjithë vendin, duke treguar vendosmërinë e tyre të palëkundur.