Libri i ri për “Zonjën e Hekurt”, zbulon dy historitë e fshehta të dashurisë
Margaret Thatcher pati dy lidhje dashurie gjatë martesës me bashkëshortin e saj, Denisin, sipas një libri të ri të publikuar në Britaninë e Madhe.
“Zonja e Hekurt”, Kryeministre nga viti 1979 deri në vitin 1990, u mbështet te burri i saj gjatë një martese që zgjati më shumë se 50 vjet. Ajo e përshkroi Denisin si “fija e artë që përshkon jetën time” dhe në të vërtetë, nuk pati ndonjë shenjë skandali gjatë dekadave që ata kaluan në sy të publikut.
Por Tina Gaudoin, në librin e saj të ri “The Accidental Feminist”, ka hedhur pretendime tronditëse rreth kryeministres më jetëgjatë të partisë Konservatore.
Libri, i publikuar për të përkuar me atë që do të ishte 100-vjetori i lindjes së saj, thotë se Thatcher pati dy afera, e para në kur sapo ishte zgjedhur deputete dhe e dyta me një koleg politikan.
Gaudoin tha se burime të shumta, përfshirë romancierin dhe ish-ministrin konservator Jonathan Aitken, e informuan atë se ish-kryeministrja u lidh me dikë tjetër shumë herët në karrierën e saj parlamentare. Ajo tha se burimet e kishin informuar se Thatcher kishte një aferë me Sir Humphrey Atkins, deputet për Spelthorne.
Atkins ishte sekretar shteti për Irlandën e Veriut nën “Zonjën e Hekurt” midis viteve 1979 dhe 1981 dhe iu dha një titull fisniku në vitin 1987, duke u bërë “Baron Colnbrook i Waltham St Lawrence”.
Ai ishte i martuar me Margaret Spencer-Nairn dhe pati katër fëmijë, përpara se të vdiste në vitin 1996, gjashtë vjet pasi Thatcher u largua nga detyra.
Një politikan tjetër i shpjegoi autores Gaudoin se kishin qarkulluar thashetheme rreth ngritjes në detyrë të Atkins, pavarësisht se konsiderohej më pak i aftë se të tjerët.
Burime të mëtejshme i thanë asaj se Margaret kishte një ‘miqësi’ me Lord Bell, kreun e PR të Thatcher.
Lord Moore, i cili shkroi biografinë e autorizuar të zonjës Thatcher, tha se e kishte dëgjuar më parë thashethemin e Atkins, por nuk kishte gjetur kurrë ndonjë provë bindëse për të. Ai shtoi se nuk ishte në dijeni të historisë së Lord Bell, duke e quajtur atë ‘tmerrësisht të pamundur’.
Libri analizon gjithashtu miqësinë e papritur të Denisit me Mandy Rice-Davies, një modele dhe showgirl e përfshirë thellë në aferën “Profumo” të vitit 1963.

