Trump: Nga 1 nëntori, SHBA-ja do të vendosë një tarifë të re prej 100% për importet nga Kina

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot se SHBA-ja do të vendosi një tarifë të re prej 100% për importet nga Kina, si dhe kufizime në eksportet e teknologjisë.

“Duke filluar nga 1 nëntori 2025 – ose më shpejt, në varësi të çdo veprimi ose ndryshimi të mëtejshëm të ndërmarrë nga Kina – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin një tarifë prej 100% për Kinën”, tha Trump duke përmendur politikat aktuale tregtare të Pekinit, si justifikim.

“Gjithashtu më 1 nëntor, ne do të vendosim Kontrolle Eksporti për çdo softuer të rëndësishëm”, shtoi ai.

Më herët, presidenti amerikan në një postim në media sociale vuri në pikëpyetje nëse takimi i tij i planifikuar me presidentin kinez, Xi Jinping në Korenë e Jugut do të zhvillohej.

Të dy udhëheqësit kishin planifikuar të takoheshin në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i cili fillon në fund të tetorit.

Gjithashtu, ka patur një pauzë në mosmarrëveshjen për tarifat midis Kinës dhe SHBA-së, e cila u përshkallëzua këtë vit. Në prill, të dy vendet vendosën tarifa prej më shumë se 100% për importet nga secili vend.

Kina tha të enjten se po zgjeronte kufizimet e saj të eksportit për metalet e rralla, të cilat ishin të rëndësishme për industrinë amerikane.

Më herët, Pekini kufizoi eksportin e disa produkteve të metaleve të rralla dhe magneteve në prill, mes mosmarrëveshjeve tregtare me Uashingtonin.