OKB bën thirrje për vetëpërmbajtje pas sulmeve të SHBA-së në Karaibe
Kombet e Bashkuara bënë thirrje për vetëpërmbajtje pas sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër anijeve në brigjet e Venezuelës, të cilat Uashingtoni tha se transportonin drogë.
Ndihmëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca, bëri thirrje për një dialog konstruktiv dhe një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Gjatë javëve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën disa anije në Karaibe – të dyshuara për transportimin e lëndëve narkotike të paligjshme, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 20 personave.
Veprimet kanë tërhequr kritika të gjera, pjesërisht pasi qeveria amerikane fillimisht dështoi të jepte një bazë ligjore për të arsyetuar sulmet.
“Ne vazhdojmë të theksojmë nevojën që të gjitha përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar të kryhen në përputhje me ligjin ndërkombëtar, përfshirë Kartën e OKB-së”, tha Jenca.
Përfaqësuesi i SHBA-së, John Kelley, tha se qeveria e presidentit Donald Trump ishte në ofensivë kundër karteleve të drogës dhe trafikimit të drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishte e vendosur të përdorte të gjithë fuqinë e SHBA-së për t’u përballur dhe zhdukur këto kartele të drogës.
“Uashingtoni ishte i përgatitur të kryente operacione të mëtejshme ushtarake, sipas nevojës”, tha Kelley, duke theksuar se SHBA-ja nuk e njeh qeverinë e presidentit venezuelan, Nicolás Maduro.
Maduro, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013, siguroi një mandat të tretë në zgjedhjet presidenciale të kontestuara në korrik 2024, pasi autoriteti zgjedhor i vendit e shpalli atë fitues. Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado u vlerësua dje me Çmimin Nobel për Paqen.
Në reagimin e saj fillestar, ajo ia dedikoi çmimin Trump, duke thënë se Venezuela ishte “në prag të fitores” dhe tani mbështetej “më shumë se kurrë” te “Trump, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popujt e Amerikës Latine dhe kombet demokratike të botës si aleatët kryesorë për të arritur lirinë dhe demokracinë në Venezuelë.
