Postimet në rrjetet sociale gjatë natës, lidhen me mirëqenien e dobët mendore
Njerëzit që postojnë në mediat sociale brenda natës kanë më shumë gjasa të kenë mirëqenie të dobët mendore, sugjeron një studim i ri.
Përdoruesit që konsumojnë alkool gjatë natës, kanë gjithashtu më shumë gjasa të raportojnë simptoma të depresionit dhe ankthit, zbuluan studiuesit.
Ekspertët thanë se shumica e studimeve mbi mirëqenien mendore dhe mediat sociale, janë përqendruar në frekuencën e përdorimit të mediave sociale.
Ata donin të vlerësonin nëse koha luan ndonjë rol. Si rezultat, ata përdorën platformën X, e njohur më parë si Twitter, për të vlerësuar përdorimin gjatë natës, të matur nga koha që njerëzit postonin.
Kjo u korrelua me të dhënat nga një studim afatgjatë që gjurmonte shëndetin e njerëzve nga perëndimi i Anglisë - studimi i Fëmijëve të viteve '90, i njohur edhe si Studimi Gjatësor i Avonit për Fëmijët dhe Prindërit.
Rreth 310 persona u zgjodhën për t’u përfshirë në studim bazuar në kohën e postimeve të tyre në Twitter dhe kur iu përgjigjën pyetësorëve në lidhje me mirëqenien e tyre.
Në përgjithësi, studiuesit shqyrtuan 18,288 cicërima, përfshirë ripostimet, të postuara midis janarit 2008 dhe shkurtit 2023 - përpara se faqja të ndryshonte emrin në X.
Studimi zbuloi se njerëzit që, mesatarisht, shkruanin në Twitter gjatë natës nga ora 23:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, duket se kishin “mirëqenie mendore dukshëm më të keqe sesa ata që shkruanin në Twitter gjatë ditës”.
Autorët, të udhëhequr nga akademikë në Universitetin e Bristolit, thanë se postimet në Twitter brenda natës shpjegonin pothuajse 2% të ndryshimeve në mirëqenien mendore.
Ata gjetën gjithashtu një lidhje midis cicërimave brenda natës me depresionin dhe ankthin, por këto nuk ishin aq të forta.
Ekipi theksoi se si përdorimi i mediave sociale gjatë natës, “mund të zhvendosë gjumin” teksa njerëzit qëndrojnë zgjuar për t’i përdorur ato.
Ata shtuan se postimi dhe mesazhet natën mund të çojnë në “zgjim kognitiv” dhe thanë se drita blu nga telefonat inteligjentë mund të “pengojë prodhimin e hormonit melatoninë”.
“Të gjithë këta faktorë mund të kombinohen për të vonuar fillimin e gjumit dhe për të çuar në cilësi dhe sasi më të keqe të gjumit”, shkruan ata në revistën Scientific Reports.
"Rezultatet e përmirësuara në lidhje me gjumin nga ana tjetër shoqërohen me shëndet më të mirë mendor."
Daniel Joinson, studiues doktorature në Universitetin e Bristolit dhe autor kryesor i punimit, tha: “Ndërsa mediat sociale shpesh trajtohen si një monolit, ndikimi i tyre në shëndetin mendor do të varet nga sjelljet e sakta që kryen përdoruesi dhe përvojat që ata kanë në këto platforma.”
“Studimi ynë nxjerr në pah dëmin e mundshëm të një sjelljeje shumë specifike: postimi i përmbajtjes gjatë natës.”
“Hulumtime si i yni mund të ndihmojnë në informimin e ndërhyrjeve ose legjislacionit që synojnë të pengojnë përdorimin e dëmshëm të mediave sociale, ndërkohë që mundësojnë sjellje ose përvoja të dobishme.”
Elon Musk e bleu kompaninë në vjeshtën e vitit 2022 dhe e riemërtoi atë si X në verën e vitit 2023./ DPA News.