BRUNO FERNANDES VENDOS... Mesfushori portugez do të qëndrojë tek “Djajtë e kuq”
Mes aludimeve të shumta për një largim të mundshëm të tij drejt Arabisë Saudite, kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes vendos të qëndrojë në ‘Old Traford’. Sipas medieve britanike, mesfushori portugez ka refuzuar ofertat faraonike të Al-Hilalit dhe të disa klubeve të tjera arabe për të vijuar me ‘Djajtë e kuq’.
Në një verë të mbushur me spekulime, zëra për transferime dhe lëvizje të mëdha në tregun e futbollit, një nga emrat që qëndroi në qendër të vëmendjes ishte ai i kapitenit të Manchester United, Bruno Fernandes.
Që prej transferimit të tij nga Sporting Lisbona në vitin 2020, portugezi është kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të “Djajve të Kuq”. Me kontributin e tij në mesfushë, Fernandes është bërë një pikë referimi për klubin, si në aspektin teknik, ashtu edhe në lidership.
Deri më sot, ai ka regjistruar 100 gola në 297 ndeshje me fanellën e United në të gjitha kompeticionet, një shifër e jashtëzakonshme për një mesfushor me tipare sulmuese.
Por gjatë verës së fundit, mediat në Angli, Portugali dhe më gjerë, nisën të raportojnë për një lëkundje të mundshme të Fernandes, mes mosbesimit në projektin sportiv të klubit dhe ofertave të joshëse nga jashtë.
Oferta më konkrete dhe më e bujshme erdhi nga Arabia Saudite. Klubi i njohur Al Hilal, që ka investuar rëndë në yje të futbollit botëror, i ofroi Fernandes një kontratë tre-vjeçare me 700 mijë euro në javë, një shumë marramendëse që do ta kthente në një nga futbollistët më të paguar në botë.
Oferta përfshinte gjithashtu një tarifë transferimi prej mbi 100 milionë euro, një propozim që konsiderohej serioz si për lojtarin, ashtu edhe për klubin anglez.
Megjithatë, pavarësisht kësaj oferte të majme, Bruno Fernandes ka marrë vendimin për të qëndruar në Old Trafford. Ai e ka refuzuar propozimin nga Arabia Saudite dhe ka zgjedhur të vazhdojë me Manchester United, të paktën deri në verën e ardhshme.
Nga ajo që raportohet në shtypin britanik Fernandes nuk dëshiron të largohet në këtë fazë të karrierës së tij, sidomos jo përpara Kupës së Botës 2026, e cila mund të jetë e fundit për të me kombëtaren portugeze.
Në moshën 31-vjeçare, Fernandes ndjen ende se ka shumë për të dhënë në futbollin europian. Ai është kapiteni i United, një figurë që mban mbi supe jo vetëm barrën e rezultateve.
Ndërkohë, klubet arabe vazhdojnë ta kenë në radar, dhe nuk përjashtohet mundësia që një tjetër ofertë të vijë në fund të sezonit. Megjithatë, burime të afërta me United bëjnë me dije se çdo largim i mundshëm i Fernandes do të kushtojë jo më pak se 60 milionë euro, një shifër që reflekton rëndësinë e tij në skuadër.
Për momentin, Bruno Fernandes mbetet i përkushtuar ndaj projektit të United dhe është i vendosur të ndihmojë skuadrën në një sezon ku kërkohet rikthimi te rezultatet dhe te suksesi.


