Legjendat e futbollit holandez Ari Han dhe Rud Krol, vizitë në kampin stërvitor të Kombëtares

Kombëtarja shqiptare në stërvitjen e radhës u vizitua nga ish-trajneri i Kombëtares, Ari Han dhe ish-futbollisti i njohur holandez, Rud Krol. Hani dhe Krol u takuan me trajnerin Silvinjo, stafin teknik të Kombëtares si edhe me disa nga futbollistët kuqezi.

Gjatë bashkëbisedimit, Ari Han dhe Rud Krol i uruan trajnerit Silvinjo dhe lojtarëve suksese në sfidat e tetorit dhe në kualifikueset e Botërorit 2026. Gjithashtu, ata patën mundësi të vizitonin ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe të njihen me muzeun e futbollit.

Ari Han dhe Rud Krol ndodhen në Tiranë për të marrë pjesë në aktivitetin në mjediset e stadiumit “Air Albania”, i organizuar në bashkëpunim mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ambasadës së Holandës në Shqipëri në çelje të Javës Kulturore Holandeze në Shqipëri dhe përkon me 55 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve.

Gjithashtu, aktiviteti do të ketë në fokus një ndeshje legjendare futbolli. Në vitin 1970, klubi holandez Ajaks luajti kundër 17 Nëntorit dhe ndeshja përfundoi në një barazim historik 2-2 në atë që mbahet mend si një nga duelet më të famshme të futbollit në epokën komuniste të vendit.