“Jam i bukur, kam para dhe shëtis botën. Martohu me mua!”/ Gazetarja publikon mesazhet shqetësuese të psikiatrit nga Kosova që e përndiqte (FOTO)

Gazetarja sportive Albana Bejko ka rrëfyer për herë të parë publikisht një përvojë të rëndë personale, duke treguar se ka qenë viktimë e përndjekjes së vazhdueshme nga një mjek psikiatër nga Kosova, i identifikuar si Behar Kamberi.

E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Bejko zbuloi se përndjekja kishte nisur mbi një vit më parë, duke u bërë gjithnjë e më intensive deri në momentin që ajo vendosi të kërkonte ndihmën e institucioneve. Kjo çoi më pas në arrestimin e autorit.

“Një moment i frikshëm ishte kur në ambientet ku unë punoj, personi u afrua dhe më kërkoi të uleshim për kafe. Reagimi im ishte instinktiv, i trembur — i thashë ‘të lutem, mu hiq qafe’. Pikërisht në atë moment kaluan katër djem dhe kjo e trembi pak. Periudha më intensive ka qenë nga qershori i vitit të kaluar deri para pak ditësh, kur telefonova policinë,” – tregoi gazetarja.

Në studio, Albana shfaqi edhe mesazhet këmbëngulëse dhe shqetësuese që i dërgonte Kamberi, të cilat tregonin një fiksim të thellë ndaj saj. Ai e quante “gruaja e ëndrrave të tij”, i ofronte martesë dhe përpiqej ta bindte me “kredencialet” e tij personale.

Në një prej mesazheve, mjeku shkruante:

“Përshëndetje Albanë nga Behari. Unë jam burrë ideal për ty. Jam doktor intelektual, gentleman, i bukur dhe i sinqertë. Kam gjendje të mirë financiare dhe shëtis botën. Por eja martohemi dhe jetojmë së bashku në një banesë në Prishtinë, por edhe në Tiranë. Ti do vazhdosh të punosh si tani. Pres reflektim nga ti.”

“Jam i bukur, kam para dhe shëtis botën. Martohu me mua!”/

Në një tjetër mesazh, ai i bënte ftesë për takim:

“Tashmë pasi që ne po njihemi që një kohë të gjatë, kemi bërë foto dhe kemi folur në telefon, kam një ftesë për kafe me ty… Kur të konvenon dhe kur është mirë për ju. Jam në pritje, më lajmëro. Behari.”

“Jam i bukur, kam para dhe shëtis botën. Martohu me mua!”/

Ndërsa në një komunikim tjetër shkruante:

“Është kënaqësi që u takova mbrëmë dhe u njoha për së afërmi me ty. Shumë jam i lumtur që fola me ty dhe të çmoj shumë, moj vajza më e bukur e Shqipërisë. Të ftoj të vish në Prishtinë. Të dua shumë, Albana.”

Përballë një situate që po bëhej gjithnjë e më kërcënuese dhe shqetësuese për sigurinë e saj, gazetarja vendosi të denonconte zyrtarisht rastin në polici, duke i dhënë fund përndjekjes.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, me kolegë, gazetarë dhe qytetarë që kanë shprehur mbështetje për Albanën dhe kanë kërkuar që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet të plotë nga institucionet, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhunë psikologjike dhe përndjekje ndaj grave në publik. Mjeku nga Kosova u ndalua dhe më pas u lirua nga autoritetet shqiptare.