Hakerat e Koresë së Veriut po bëjnë namin, 2 miliardë dollarë kriptomonedha të vjedhura vetëm këtë vit! Objektiv bizneset e vendeve armike
Sipas studiuesve, synimi i mbajtësve të kriptomonedhave me pasuri të larta neto ka ndihmuar hakerët e Koresë së Veriut të vjedhin më shumë se 2 miliardë dollarë (1.49 miliardë paund) deri më tani, brenda këtij viti.
Vjedhjet janë një rekord për hakerat e lidhur me regjimin, të cilët tani përbëjnë rreth 13% të produktit të brendshëm bruto (PBB) të Koresë së Veriut, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë viteve të fundit, operativë nga ekipe hakerash si Lazarus Group janë përqendruar në sulmin ndaj kompanive të kriptomonedhave për vjedhje të mëdha të tokenëve dixhitalë.
Por hetuesit në firmën kërkimore Elliptic paralajmërojnë se individët e pasur me kriptovaluta janë bërë objektiva gjithnjë e më tërheqës, pasi shpesh u mungojnë masat e sigurisë të përdorura nga bizneset.
Agjencitë perëndimore të sigurisë thonë se fondet e vjedhura përdoren për të financuar programet e zhvillimit të armëve bërthamore dhe raketave të Koresë së Veriut.
Dr. Tom Robinson, shkencëtari kryesor në Elliptic, thotë se shënjestrimi i individëve – i cili ka më pak gjasa të zbulohet – do të thotë se shifra e vërtetë e sulmeve kibernetike të kryera nga Koreja e Veriut mund të jetë edhe më e lartë.
“Vjedhjet e tjera ka të ngjarë të mos raportohen dhe mbeten të panjohura, pasi t’i atribuosh vjedhjet kibernetike Koresë së Veriut nuk është një shkencë e saktë”, tha ai.
“Ne jemi në dijeni të shumë vjedhjeve të tjera që ndajnë disa nga tiparet dalluese të aktivitetit të lidhur me Korenë e Veriut, por nuk kanë prova të mjaftueshme për t’u atribuuar përfundimisht”, vijon Robinson.
Ambasada e Koresë së Veriut në Mbretërinë e Bashkuar u kontaktua për koment, por nuk u përgjigj menjëherë. Më parë, regjimi ka mohuar çdo përfshirje në sulmet kibernetike, informon BBC.
Elliptic dhe kompani të tjera si Chainalysis janë në gjendje të gjurmojnë lëvizjen e fondeve të vjedhura si Bitcoin dhe Ethereum duke ndjekur listën publike të transaksioneve në blockchain.
Me kalimin e viteve, studiuesit kanë vënë re modele në metodat dhe mjetet e preferuara nga hakerat e Koresë së Veriut.
Elliptic vlerëson se viti 2025, viti më i suksesshëm deri më tani, e çon vlerën kumulative të njohur të kriptoaseteteve të vjedhura nga regjimi në më shumë se 6 miliardë dollarë.
Koreja e Veriut nuk i zbulon shifrat e PBB-së, por OKB-ja vlerëson se në vitin 2024 vendi fitoi 15.17 miliardë dollarë. Hakimi më i keq i vitit që i atribuohet Koresë së Veriut ndodhi në shkurt të këtij viti, kur hakerat vodhën 1.4 miliardë dollarë nga bursa e kriptomonedhave ByBit.
Përveç sulmit kibernetik ByBit në shkurt, analistët e Elliptic ia kanë atribuar më shumë se 30 sulme të tjera Koresë së Veriut deri më tani këtë vit.
Vjedhja më e lartë e kriptomonedhave nga një individ deri më tani këtë vit është 100 milionë dollarë.
Aktiviteti i këtij viti e tejkalon rekordin e mëparshëm të regjimit të vendosur në vitin 2022, kur akuzohet për vjedhjen e 1.35 miliardë dollarëve në total.
Përveç një ekipi të suksesshëm të krimit kibernetik, regjimi po akuzohet gjithnjë e më shumë për drejtimin e një programi të përpunuar të punonjësve të rremë të IT-së për të sjellë para shtesë dhe për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.