4 vite burg për Sean “Diddy” Combs, reagon avokati i Cassie: Ajo do të vazhdojë të shërohet

Pasi gjykata shpalli dënimin prej 4 vitesh e 2 muajsh si dhe një gjobë 500 mijë dollarë për Sean “Diddy” Combs, Cassie Ventura ka reaguar.

Deklarata e saj vjen përmes avokatit, Doug Wigdor.

Teksa asgjë s’mund ta zhbëjë traumën e shkaktuar nga (Sean “Diddy”) Combs, dënimi i caktuar sot njeh impaktin e veprave të rënda që ai ka kryer. Ne kemi besim se me mbështetjen e familjes dhe miqve të saj, Ventura do të vazhdojë të shërohet duke e ditur se guximi dhe kurajoja e saj kanë frymëzuar shumë njerëz”, thotë shkresa.

Në të shkruhet se procesi ligjor nisi kur Cassie pati guximin të ngrinte padinë e saj në nëntor 2023.

“Edhe pse juria nuk e shpalli Combs fajtor për trafikimin seksual të Cassie përtej dyshimi të arsyeshëm, ajo hapi rrugën që ai të shpallej fajtor për transportimin me qëllim prostitucionin. Duke folur hapur për përvojën e saj, Cassie ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në industrinë e argëtimit dhe luftën për drejtësi.

Ajo shpalosi forcë të pakundërshtueshme dhe drejtoi vëmendjen te realiteti i burrave të pushtetshëm në orbitën tonë dhe veprave që kanë vijuar për dekada pa asnjë pengesë. Kjo çështje provoi se ndryshimi duhej bërë prej kohësh dhe ne do ta vazhdojmë betejën tonë në dobi të të mbijetuarave.”

Combs mund ta apelojë dënimin dhe avokatët kanë thënë se do ta bëjnë. Ata kanë 14 ditë afat.