Skandal në Australi/ Tërhiqen dhjetëra kremra mbrojtës nga dielli, rreziku për konsumatorët mund të jetë global

Australia po përballet me një skandal të madh shëndetësor pas tërheqjes së 18 produkteve të kremrave mbrojtës nga dielli, të cilët nuk ofrojnë mbrojtjen e pretenduar nga prodhuesit.

 Zbulimet kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë e konsumatorëve, veçanërisht në një vend që ka shkallën më të lartë të kancerit të lëkurës në botë.

Një analizë e publikuar në qershor nga një grup mbrojtës i konsumatorëve tregoi se disa nga kremrat më të shtrenjtë dhe më të njohur kishin nivel mbrojtjeje shumë më të ulët se sa deklarohej.

Shembulli është kremi “Lean Screen Skinscreen” i Ultra Violette, i cili duhej të ofronte mbrojtje SPF 50+, por testet treguan se siguronte vetëm një SPF 4. Ky produkt u tërhoq vullnetarisht në gusht.

Hetimet e fundit të Administratës së Mallrave Terapeutike (TGA) kanë zbuluar se edhe rreth 20 kremra të tjerë të prodhuar me të njëjtën formulë bazë janë të pasigurt, pasi testimet paraprake tregojnë se niveli i tyre i mbrojtjes SPF nuk shkon më lart se 21, ndërsa disa mund të kenë vetëm SPF 4.

Nga 21 produktet, 8 janë tërhequr ose ndaluar nga prodhimi, 10 janë bllokuar nga shitja, ndërsa 2 të tjerë po shqyrtohen ende.

Problemet nuk lidhen vetëm me prodhimin, por edhe me integritetin e testimeve laboratorike. Autoritetet australiane kanë ngritur shqetësime të forta mbi Princeton Consumer Research Corp (PCR Corp), një laborator amerikan, i cili ka kryer testimet për shumë nga këto produkte. Sipas TGA, rezultatet e PCR janë “të dyshimta” dhe mund të kenë mashtruar markat dhe konsumatorët mbi nivelin real të mbrojtjes që ofronin kremrat.

Prodhuesi i formulës bazë, "Wild Child Laboratories" Pty Ltd, ka ndaluar prodhimin e saj, ndërsa drejtuesi i kompanisë, Tom Curnoë, tha se mospërputhjet janë pjesë e një problemi më të gjerë në industrinë e kremrave të diellit. Ai theksoi se kompania nuk do të përdorë më testimet e PCR dhe po bashkëpunon me laboratorë të tjerë të pavarur.

Skandali ka shkaktuar reagime të forta nga konsumatorët në Australi, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se çështja mund të ketë pasoja edhe jashtë vendit, pasi shumë nga këto produkte shiten globalisht.

Australia, e cila ka disa nga rregulloret më të rrepta për kremrat kundër diellit, vlerëson se dy në tre australianë preken nga kanceri i lëkurës gjatë jetës së tyre. Për këtë arsye, besueshmëria e produkteve mbrojtëse është çështje kritike.