Abuzim me prokurimet dhe keqpërdorim i autoritetit, Prokuroria e Kosovës bastis Kompaninë e Ujësjellësit “Gjakova” dhe shtëpinë e kreut të saj

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në bashkëpunim me Policinë, ka kryer kontrolle në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e kreut ekzekutiv të kompanisë. Mediat lokale në Kosovë raportojnë se bëhet fjalë për Hasan Krasniqin.

Autoritetet kanë thënë se dyshojnë të jenë kryer vepra penale sikurse keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikimi i dokumentit zyrtar, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave të akcizës, konflikt i interesit, si dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, informon Radio Evropa e Lirë.

Ato, gjithashtu, kanë bërë të ditur se gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova materiale, që do të shërbejnë si prova për rastin.

Në statutin e kësaj kompanie është e përcaktuar se, mes tjerash, ajo ka për obligim shërbimin e furnizimit me ujë, mirëmbajtjen e sistemit të furnizimit me ujë, prodhimin dhe blerjen e ujit për plotësimin e kërkesës së konsumatorëve, mirëmbajtjen e sistemeve të ujërave të zeza dhe impianteve të tyre, dhe që mund realizojë çdo lloj operacioni financiar apo tregtar, i cili lidhet direkt apo indirekt me objektin e saj, brenda kufijve të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

Policia e ka ndaluar të dyshuarin Hasan Krasniqin edhe në mars të këtij viti për 48 orë, nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe i ka sekuestruar një laptop, telefon, si dhe mijëra euro.

Ai ishte arrestuar edhe në shkurt të vitit 2024 në një pikëkalim kufitar në perëndim të Bullgarisë, mirëpo nuk është e qartë se mbi çfarë akuzash apo dyshimesh ishte arrestuar ai atëkohë.