AfD dështon në tre bashki në zgjedhjet e përsëritura, SPD humbet bastionin historik të Dortmundit pas 80 vitesh
Partia e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), dështoi të kryejë surprizën dhe humbi në të tre bashkitë që zhvilluan zgjedhje të ripërsëritura në Landin e Nordhein-Westfalen. Ndërkohë, Partia Socialdemokrate (SPD) pësoi një humbje historike në Dortmund, pas 80 vitesh dominim.
Në Gelsenkirchen, bastion tradicional i SPD-së, kandidadja Andrea Hensel fitoi me 66,9% të votave kundrejt kandidatit të AfD-së, Norbert Emerich, që mori 33,1%. Në Duisburg, kryetari në detyrë nga SPD-ja, Sören Link, mori 78,6% të votave, ndërsa kandidati i AfD-së vetëm 21,4%. Ndërkaq, në Hagen, kandidati i CDU-së, Dennis Rehbein, fitoi me 71,7% kundrejt kandidatit të AfD-së që mori 28,3%.
Por goditja më e rëndë për SPD-në ishte në Dortmund, ku kandidati i CDU-së, Alexander Kaluity, me origjinë nga Libani, fitoi 52,9% të votave, duke mposhtur kryebashkiakun e tanishëm të partisë socialdemokrate, Thomas Westphal, i cili mori 47,08%.
Një nga lajmet pozitive për SPD-në erdhi nga Oberhausen, ku arriti të rimarrë bashkinë pas 10 vitesh në opozitë: kandidati Torsten Berg fitoi me 51% të votave kundrejt 49% për kryebashkiakun në detyrë, Daniel Schranz.
Rezultatet sinjalizojnë jo vetëm një rritje të vlerësimit negativ ndaj AfD-së në skenën lokale, por edhe një krisje të rëndësishme në bazat e SPD-së në qytete që dikur konsideroheshin të pandashme nga dominimi i tyre politik.
