Nga nacionalizmi te teoritë konspirative, a po formohet një brez i dhunshëm online?
Idetë e së djathtës ekstreme po gjejnë terren të favorshëm online, në hapësira që shpesh nuk janë të dukshme për publikun e gjerë, por që përhapin dezinformim.
Vitin e kaluar, gjatë verës së 2024-ës, shpërthyen trazira në disa qytete të Mbretërisë së Bashkuar, të nxitura nga informacion i rremë i përhapur në rrjetet sociale. Dhuna ishte kryesisht drejtuar ndaj azilkërkuesve dhe komunitetit mysliman, përfshirë një rast kur një hotel që strehonte azilkërkues u dogj nga turmat.
Çfarë e bëri këtë ngjarje edhe më të habitshme ishte se shumica e pjesëmarrësve nuk ishin pjesë e organizatave të njohura ekstremiste, disa madje refuzonin këtë etiketim, duke mbajtur pankarta me mbishkrimin: Nuk jemi të djathtë ekstremë, thjesht jemi të djathtë!
Siç shkruan The Guardian, një komunitet që nuk ka aspak besim te institucionet e qeverisë, shpërndante postime me urrejtje ndaj emigrantëve, nacionalizëm, teori konspirative dhe dezinformim.
Gazetarët e The Guardian kanë ndjekur aktivitetin online të këtyre personave të akuzuar për shkelje online lidhur me trazirat e verës së 2024.
Analiza e profileve publike dhe grupeve të tyre tregoi se pesë persona ishin pjesë e tre grupeve me rreth 267 mijë anëtarë. Këto grupe kanë anëtarë të përbashkët dhe postime të ngjashme, duke përfshirë mbështetje për të arrestuarit gjatë trazirave.
Moderatorët dhe administratorët e këtyre grupeve menaxhojnë përmbajtjen.
Për të kuptuar çfarë lexonin dhe postonin individët e përfshirë dhe mbështetësit e tyre, u analizuan 51 mijë postime në tre nga grupet më të mëdha para, gjatë dhe pas trazirave të verës së 2024-ës, duke përdorur një model të madh gjuhësor të OpenAI. Ekspertët thonë se disa postime përmbajnë ide ekstremiste dhe se kishte një normalizim tejet shqetësues të ideve të së djathtës ekstreme në Facebook.
Në shumë postime dominojnë kritikat ndaj institucionet qeveritare dhe figurave politike, duke përdorur gjuhë përçmuese. Ekspertët paralajmërojnë se sulmet ndaj institucioneve demokratike pasqyrojnë metoda fashiste historike.
Rreth një në shtatë postime trajton emigrantët. Një në 10 prej tyre përmban gjuhë raciste duke i paraqitur ata si kërcënim, të rrezikshëm, kriminelë ose si të jashtëligjshëm. Ky lloj diskursi mund të kontribuojë në radikalizim dhe dhunë ndaj grupeve të caktuara.
Një ndjenjë e fortë nacionaliste është vënë re po ashtu në postime, ku theksohet kërcënimi ndaj britanikëve dhe të krishterëve. Ky lloj identifikimi mund të çojë në radikalizim dhe dhunë.
Shumë i mbështesnin trazirat si liri e shprehjes, duke e paraqitur veten si qytetarë të zakonshëm.
Linja mes qytetarit të zakonshëm dhe anëtarit të së djathtës ekstreme është bërë më e paqartë për shkak të ambientit online. Algoritmet dhe teknologjitë e reja, përfshirë video të fabrikuara dhe chatbot-et, po e amplifikojnë këtë radikalizim.
Porta drejt teorive konspirative
Rreth 5% e postimeve përfshijnë teoritë konspirative dhe dezinformimin, nga mohimi i krizës klimatike deri te ndikimi i organizatave elitare globale.
Rrjetet sociale dhe veçanërisht grupet publike të Facebook-ut, po luajnë një rol të qartë në radikalizimin e individëve dhe përhapjen e ideve ekstremiste.
Një kombinim i mosbesimit ndaj institucioneve, fajësimit të emigrantëve, nacionalizmit dhe teorive konspirative po krijon një “koktej toksik” që mund të çojë në dhunë reale.
Ekspertët paralajmërojnë se ndonëse jo të gjithë anëtarët e këtyre grupeve janë ekstremistë, ekziston një fenomen shqetësues i normalizimit të ideve të së djathtës ekstreme dhe nxitjes së dhunës përmes ambientit online.
