Osmani, në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Nju-Jork
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Kroacisë në Nju-Jork.
Në këtë takim prezent kanë qenë edhe i dërguari special për misione të posaçme, Richard Grenell, Scot Bessent sekretar i shtetit për Thesarin dhe John Jovanovich, president i Bankës EXIM.
Lajmin për KosovaPress e konfirmoi këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Ftesa ka qenë për “US-Western Balkans Roundtable”, nga tre përfaqësues të administratës amerikane: Richard Grenell, i dërguar presidencial për misione speciale, Scot Bessent, sekretar i shtetit për Thesarin si dhe John Jovanovich, president i Bankës EXIM. Të ftuara kanë qenë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Kroacia”, tha Kupina.
Kupina tha se Osmani ka marrë pjesë në pjesën e dytë të takimit për shkak të bisedimeve bilaterale, kurse në këtë takim secili shtet ka prezantuar potencialin e vet ekonomik si mundësi për bashkëpunim me administratën Trump.
“Të gjitha shtetet e ftuara kanë marrë pjesë. Presidentja ka arritur aty në pjesën e dytë të takimit për shkak të takimeve të tjera bilaterale. Në takim secili shtet ka prezantuar potencialin e vet ekonomik si mundësi për bashkëpunim me administratën Trump. Nuk ka pasur diskutime politike”, tha Kupina. /KosovaPress/

