Mbi 1,5 milionë nënshkrime për peticionin kundër kartave digjitale të identitetit në Britani
Një peticion që i bën thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të mos prezantojë kartat digjitale të identitetit, ka marrë më shumë se 1,5 milionë nënshkrime.
Kryeministri Keir Starmer njoftoi të premten se qeveria do të prezantojë një sistem të ri identifikimi deri në vitin 2029 që do të jetë i detyrueshëm për njerëzit që punojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Peticioni i bëri thirrje qeverisë të angazhohet për të mos futur kartat digjitale të identitetit duke thënë se “ne mendojmë se ky do të ishte një hap drejt mbikëqyrjes masive dhe kontrollit digjital dhe se askush nuk duhet të detyrohet të regjistrohet me një sistem identifikimi të kontrolluar nga shteti”.
Ai mori më shumë se 6 800 nënshkrime brenda një ore sot në mëngjes, ndërsa arriti më shumë se 1 564 000 firma.
Peticionet në faqen e internetit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që marrin më shumë se 100 000 nënshkrime do të merren në konsideratë për një debat.
Udhëheqësi i ”Reform UK”, Nigel Farage, e kritikoi skemën e planifikuar, duke e quajtur atë “një kartë antibritanike”.
Duke shkruar në ”Daily Express”, ai tha se “plani i qeverisë laburiste për të imponuar kartat digjitale të identitetit për të gjithë të rriturit nuk do të bëjë asgjë për të luftuar imigracionin e paligjshëm. Por, do t’i japë shtetit më shumë pushtet për të kontrolluar popullin britanik”.
Ministrat kishin thënë më parë se karta e identitetit do të nevojitej vetëm si provë se dikush ka të drejtë të punojë në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e një përpjekjeje për të ulur imigracionin e paligjshëm.
Por Darren Jones, i cili po drejton politikën si sekretar kryesor i kryeministrit, sugjeroi që kartat digjitale të identitetit mund të ketë përdorime shumë më të gjera në të ardhmen.
Ai i tha samitit ”Global Progress Action” në Londër se “nëse e bëjmë këtë sistem të identifikimit digjital të funksionojë dhe publiku të jetë me ne, ky do të jetë themeli i shtetit modern dhe do të lejojë një reformë vërtet emocionuese të shërbimit publik në të ardhmen”.
Njerëzit nuk do të jenë të detyruar të mbajnë kartën e identitetit, e cila do të mbahet në telefonat inteligjentë ose t’u kërkohet ta paraqesin atë.

