Kryeministri i Francës hedh poshtë idenë e një takse mbi pasurinë, por nuk heq dorë nga 'drejtësia fiskale'
Kryeministri francez Lacorny ka theksuar se qeveria po përgatit një buxhet që synon të gjejë një ekuilibër mes drejtësisë fiskale dhe nevojës për të ruajtur konkurrueshmërinë ekonomike të vendit.
Ai pranoi se qytetarët kërkojnë më shumë barazi në taksa, por theksoi se qeveria nuk do të rikthejë Tatimin mbi Pronën (ISF) dhe as nuk do të përgatisë një buxhet kursimesh apo regresi social.
Përkundrazi, qeveria ka parashikuar gjashtë miliardë euro shtesë për pensionet dhe pesë miliardë për sistemin shëndetësor, duke iu përgjigjur presionit të fortë social.
Megjithatë, lind pyetja se si do të financohen këto shpenzime, duke pasur parasysh se deficiti i vitit të ardhshëm pritet të jetë 4.7 për qind.
Për këtë arsye, Lacorny ka paralajmëruar një ulje prej gjashtë miliardë eurosh në shpenzimet e administratës shtetërore, shoqëruar me një reformë afatgjatë të organizimit territorial përmes decentralizimit.
Ai nënvizoi se disa taksa do të rriten dhe të tjera do të ulen, në mënyrë që të mos preket pesha totale e barrës fiskale, e cila mbetet ndër më të lartat në botë.
Kryeministri është zotuar të dorëzojë buxhetin brenda afatit kushtetues të 13 tetorit, ndërsa për miratimin në parlament tha se nuk dëshiron të përdorë nenin 49.3, ndonëse nuk e përjashtoi plotësisht këtë mundësi.
“Buxheti që do të miratohet nuk do të jetë ai fillestar i qeverisë. Jam i vetëdijshëm për këtë. Ua shtrij dorën të gjithë deputetëve”, deklaroi ai.
