Tjetër rekord i SPAK / Vetëm 9 ditë hetim për zbardhjen e vr*sjes së Klevis Lleshit, që ndodhi 5 vite më parë
Nga Elton Qyno -
Një hetim që nisi qysh 5 vite më parë nga prokuroria e Kurbinit për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e kufomës së të riut Klevis Lleshi, rezulton të jetë konkretizuar me masa arresti, vetëm në një periudhë kohe, prej 9 ditësh nga kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani.
Një periudhë kjo, mjaft e shkurtër kohore dhe denjësisht për tu nominuar në librin e rekordeve “Guinnes”,pasi solli më pas në zbardhjen e plotë të një ngjarje të rëndë kriminale, të cilën as prokuroria e Laçit dhe ajo e Lezhës, nuk kishin mundur ta zgjidhnin çështjen për 5 vite me rradhë.
Por ky rekord vjen vetëm falë bisedave të zhvilluara në aplikacionin “Sky”, të cilat SPAK i ka administruar nëpër dosje penale nga partnerët ndërkombëtarë.
Pikërisht, kanë mjaftuar disa biseda në aplikacionin “Sky Eç” që prokuroria e posaçme të krijojë një bindje të arsyeshme se autorë të dyshuar të vrasjes së Klevis Lleshit në Mamurras, të jenë Sabah Nuzi, Samet Loka, Sajmir Kolaveri dhe porositës financues, Aurel Hoxha si dhe një person i pestë ende i pa identifikuar.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se SPAK kishte bisedat që 5 personat zhvillonin në “Sky”, por nuk kishte dosjen hetimore.
Ndaj përmes një vendimi të dërguar nga kreu i SPAK, prokurorisë së Lezhës, kjo e fundit ka transferuar fashikullin hetimor të dosjes penale që fliste për gjetjen e disa eshtrave të një njeriu në një fshat të Laçit, eshtra këto që i përkisnin Klevis Lleshit.
Pasi janë studjuar aktet hetimore të dosjes së tërhequr nga Lezha me bisedat e zhvilluara në aplikacionin “Sky EÇ”, prokuroria e posaçme mbi bazën e këtyre akteve, ka vendosur në datën 16 shtator 2025 të hapë një dosje penale me Nr. 177.
Hetimi ka nisur në 16 shtator 2025 dhe pas 9 ditësh, në 25 shtator 2025 gjykata e posaçme, ka vendosur të miratojë kërkesën e prokurorisë së Posaçme për lejimin e kontrolleve në disa objekte dhe prona të personave të dyshuar si dhe urdhërimin e arrestimit të 4 personave.
Sipas dosjes së SPAK-ut, Aurel Hoxha, ka porositur vrasjen e të riut kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh në shenjë hakmarrje për vëllain Agim Hoxha në Angli.
Për vrasjen e Klevis Lleshit, Aurel Hoxha, i cili merrej me trafik droge dhe ishte pronar i lokalit luksoz Monopol në Tiranë, dyshohet se ka paguar Sabah Nuzi, i identifikuar nga hetimet si personi që ka realizuar vrasjen me pagesë.
Pesë burra të familjes Lleshi, Xhaviti, i biri Klevisi, vëllai i Xhavitit, Hajredini, Artani dhe në fund Arben Lleshi, dyshohet se janë vrarë dhe zhdukur nga e njëjta dorë, përmes vrasësve me pagesë, në shenjë hakmarrje për krimin e rëndë të 2012 në Angli, ku Arben Lleshi, rrëmbeu, vrau dhe dogji shokun e tij, Agim Hoxha nga fshati Shqefën i Burrelit, ku besohet se i ka marrë dhe paratë.
Shkaku i gjithë kësaj sage hakmarrje, me 6 viktima, është i Arben Lleshi, i cili u ekzekutua në burg 11 vite pasi kishte vrarë shokun Agim Hoxha.

