Moto GP/ Markez, gati për titullin: Dua ta mbyll që në Motegi
Botërori i Moto GP-së mbërrin në Japoni, në një fundjavë që mund të mbyllë llogaritë e kampionatit.
Në Motegi, Mark Markez ka mundësinë të sigurojë matematikisht titullin kampion.
“Dua ta mbyll këtu në Motegi, objektivi im është fitorja”, tha piloti spanjoll i Dukatit në konferencën e djeshme për shtyp, duke u rikthyer edhe te periudha më e vështirë e karrierës së tij: “Do të më ndihmonte të kthej faqen pas disa viteve të vështira.
Do të ishte shumë e rëndësishme ta mbyll këtë cikël në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Për t’u shpallur kampion bote për herë të shtatë në karrierën e tij në Moto GP, Markez ka nevojë që të dalë nga Japonia me vetëm 3 pikë më shumë se vëllai i tij, Aleks Markez.
Kjo e bëri konferencën e tij një deklaratë të qartë synimesh: “Dua të luftoj për fitoren, kjo do të thotë të mbyll Botërorin këtu në Japoni. E di që edhe Aleks do të jetë i shpejtë, por objektivi im është fitorja.
Do të ishte bukur ta arrija pikërisht në Motegi, por tani për tani dua të përqendrohem ditë pas dite në këtë fundjavë.
E shtuna, me kualifikimet dhe Sprintin, do të jetë vendimtare. Të dielën, do të shohim”, u shpreh Markez.
Ky titull do të ishte ndryshe nga të mëparshmit: “Kjo më jep mundësinë të filloj nga e para pas gjithçkaje që kam kaluar.
Vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira, edhe në jetën time private, që është më e gjatë se ajo profesionale.
Kjo është si një jetë e dytë për mua në Moto GP. Dua ta mbyll siç duhet këtë cikël që nisi pesë vite më parë me një dëmtim serioz.
Por tani dua të qëndroj i përqendruar. Titulli i vitit 2013 ishte më i rëndësishmi, sepse arrita në garën e fundit në Valencia dhe ishte e vështirë të kontrolloja emocionet.
Këtë herë ndjenjat janë të përziera, nëse do të ishte gara e fundit, do të ishte ndryshe”, përfundoi 32-vjeçari spanjoll.
