Inteligjenca artificiale parashikon rrezikun e atakut kardiak
Një kamerë e vogël e kombinuar me inteligjencë artificiale (IA), mund të parashikojë me saktësi rrezikun e një ataku të dytë në zemër, sipas një studimi të ri. Kamera miniaturë mat arteriet koronare të pacientëve duke përdorur teknikën e tomografisë së koherencës optike (OCT). Deri tani interpretimi i imazheve të tilla ishte aq kompleks, sa mund ta bënin vetëm laboratorë të specializuar.
Studiuesit në Qendrën Mjekësore Universitare Radboud analizuan arteriet e 438 pacientëve dhe i ndoqën për dy vjet. Rezultatet, të publikuara në European Heart Journal, tregojnë se IA-ja zbulon me sukses zona të rrezikshme në muret e arterieve, njësoj si laboratorët më të specializuar, madje parashikon më saktë rrezikun e atakeve të reja ose vdekjes brenda dy vjetëve.
Rreth 15% e pacientëve që pësojnë atak zemre përjetojnë një tjetër brenda dy vjetësh. Identifikimi i pllakave të rrezikshme mund të ndihmojë mjekët të përshtatin mjekimin ose të vendosin stentë parandalues.
OCT tashmë përdoret për të drejtuar angioplastinë dhe për të kontrolluar vendosjen e stentëve, por mjekët zakonisht shohin vetëm një pjesë të vogël të arteries. Secila procedurë prodhon qindra imazhe, gjë që e bën të pamundur vlerësimin manual të arterieve të plota.
Për këtë arsye, ekipi zhvilloi një IA që analizon imazhet më shpejt dhe me më shumë besueshmëri se njeriu. Shkencëtarët thonë se kjo teknologji ka potencial të madh për të transformuar kujdesin klinik, megjithëse do të duhen disa vite për ta zbatuar gjerësisht.
